E djathta e rrezikuar
Zhvillimet e reja në të majtën shqiptare pas shfaqjes në horizont të ligjit të ri elektoral po krijojnë një problem real për shumicën në pushtet dhe spektrin e djathtë në përgjithësi. Ndarja e qartë e LSI dhe disa aleatëve të tjerë të së majtës dhe bashkimi i PSD me PS krijojnë de facto dy pole të forta të së majtës, njëri dhe më kryesori Partia Socialiste me PSD dhe e dyta, LSI me aleatët e tjerë. Ky konfiguracion i ri në të majtën shqiptare duket se është i pakthyeshëm për momentin dhe i jep asaj shanse të grumbullojë maksimumin e votave të opozitës shqiptare. LSI dhe aleatët e saj kanë shansin të marrin votat e gjithë socialistëve të pakënaqur nga Edi Rama dhe reformat që ai po bën në PS, ndërsa Partia Socialiste e Ramës ka shans të marrë gjithë votat e socialistëve që besojnë tek ai dhe një pjesë të re që ai ka aktivizuar në parti. Me këtë konfigurim e majta shkon e qartë në zgjedhje dhe ka shansin të mos lërë asnjë votë të ikë dëm. Natyrisht, LSI dhe aleatët e saj të rinj do të kenë mundësinë të diktojnë shumë për një shumicë të mundshme pas zgjedhjeve, nëse gjithçka shkon mirë për të majtën.
Por e djathta është tërësisht e papërgatitur para këtyre zhvillimeve. Aleatët qaramanë të Sali Berishës kanë nisur të vajtojnë që kryetari i PD nuk do dalë më tribunave të bëjë thirrje të votohet për partitë e tyre dhe po bëjnë zhurmë rrugëve. Në pozicionin më qesharak natyrisht që gjendet Fatmir Mediu, i cili duket se ka besuar vërtet se votat e taktizuara të 2005 janë vota të tij. Bilé, me sa shikoj, më duket se dhe Arian Madhi ka besuar se i ka marrë vërtet aq vota në Kamëz. Ky kryetar partie, i cili teorikisht ka patur shansin të ishte njëfarë lideri i partive të vogla të së djathtës, në të vërtetë, po ta vësh re, ka referencë ose Milon, ose Cekën dhe kurrë Ilir Metën nga kampi përballë. Ai ka ulur profilin e partisë së tij deri në banalitet, ka humbur identitetin politik dhe e ka kthyer atë në një kioskë për ndere personale dhe shoqërore. Po të vësh re, dhe shqetësimet e tij politike më shumë lidhen me “grupe” brenda PD sesa me PR. Më tej akoma është bërë qesharak duke zbuluar armiq të Berishës dhe Topit në PD, që ata nuk i ditkërkan. Pasi nuk na solli dot president kushëririn e kunatit të vet, një oficer mediokër nga Skrapari, ka nisur të vajtojë se dikush ka votuar kundër Bamir Topit. Ky njeri që, me sa mbaj mend, ato ditë turfullonte se do ikte nga qeveria, po të mos bëhej oficeri i tij president, tani paska zbuluar se dikush nga PD ka dashur zgjedhje të parakohshme. Një figurë e tillë qesharake, që vetëm reciton pa pushim fjali pa asnjë kuptim dhe pa asnjë ide, tani nuk mund të prodhojë dot më asnjë vlerë politike. Të njëjtën gjë natyrisht ka bërë dhe Pollo, dhe Ndoka. Dhe ata i kanë kioskëzuar partitë e tyre, i kanë kthyer në privilegje për kunetër, kushërinj, farefis e sponsora të tyre të vjetër. Për këtë arsye ata nuk kanë më asnjë shans të prodhojnë një pol në të djathtën shqiptare, aq të nevojshëm në këto momente. Rruga e tyre e vetme është t’i rifusë Berisha në listat e PD dhe të marrin rrogën si deputetë dhe një mandat. Disa prej tyre dhe mund të bëjnë karrierë në PD.
Shansi i vetëm për një pol të ri të së djathtës është rigrupimi i partive historike që nuk kanë qenë në parlament, kombinuar me ndonjë element të ri për të qenë garantë të mbledhjes së votave të dëshpëruara nga e djathta, të cilat nuk janë pak. Ballistët dhe legalistët përfshi dhe lëvizjen e zotit Shehi, me ndonjë fasadë më të përtërirë, mund të jenë fillesa e një alternative krah shumicës në pushtet për të marrë votat e njerëzve të dëshpëruar që nuk duan të shkojnë te PS. Natyrisht, para se të shkojnë deri te kjo ide, ata duhet të heqin dorë nga rivalitetet meskine që kanë dhe figurat qesharake në krye të tyre. Janë së paku dy kategori sociale të së djathtës që nuk kanë më për kë të votojnë, pronarët dhe ish-të persekutuarit. Po fakti që nuk kanë për kë të votojnë, nuk do të thotë që të rifyejnë veten dhe të votojnë për njerëz kot.
Tashmë, thirrjet që Partia Republikane është parti e pronarëve vlejnë vetëm për tek emisioni i “Portokallisë”. Ministri i Mbrojtjes dhe kryetari i republikanëve është njëkohësisht dhe penguesi më i madh i kthimit të pronave shtetërore, kryesisht reparteve ushtarake pa asnjë vlerë, te pronarët e tokave. Ish-të persekutuarit po rropaten zyrë më zyrë të marrin një vërtetim për të aplikuar që të quhen ose jo të persekutuar në vitin 2008, pa asnjë shpresë se mund të marrin ndonjë lek dhe atë shpesh duhet ta marrin tek ish-persekutorët e tyre që nuk i ka lëvizur njeri nga puna. Këto kategori natyrisht nuk kanë ndërmend të votojnë për të majtën, por mund të abstenojnë. Fuqizimi i një poli të ri të së djathtës jashtë partive që kanë bërë batërdinë në qeveri do të ishte një balancim serioz i spektrit politik shqiptar dhe mund t’i jepte shanse reale të djathtës të arrinte sërish një shumicë në zgjedhjet e 2009. Në këtë mënyrë si po bie pingul autoriteti i qeverisë, të gjitha partitë e vogla të së djathtës vetëm sa i ngrenë qimet përpjetë elektoratit të djathtë. Ata kanë vetëm një shans të jenë në parlament, nëse futen në listat e PD prej Berishës, duke bërë atë që bëri dje Skënder Gjinushi. Shans tjetër të prodhojnë politikë jashtë kazanit ku kanë ngrënë këto tre vjet nuk kanë. Nëse e djathta nuk gjen dot fuqi të organizohet, natyrisht, jo me me figurina të ndryshkura, por me njerëz të besueshëm, për të prodhuar një alternativë modeste ndaj PD, votat e saj të dëshpëruara do të humbasin në gropën e zezë që prodhon ligji elektoral dhe do të ndahen mes PS, PD dhe LSI. Kjo natyrisht që do të ulë shumë shanset për një fitore të së djathtës më 2009 dhe do t’i hapë rrugë një sundimi afatgjatë të së majtës në politikën shqiptare, e cila, një ditë pas zgjedhjeve, nëse është shumicë, di t’i ndajë menjëherë pjesët e pushtetit mes vetes.