E Diel, 1 Nëntor 2026

Bildt: Kosova mund të anëtarësohet në BE pa qenë pjesë e OKB

“Kosova mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, pavarësisht nëse është apo jo anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.” Kështu ka deklaruar shefi i diplomacisë së Suedisë, Karl Bildt, të dielën, në një konferencë për mediat gjatë vizitës në Kosovë.
Shpallja e pavarësisë i ka hapur Kosovës mundësinë e anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Mirëpo anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duket se do të jetë i pamundur për një kohë më të gjatë, pasi që dy anëtarët permanentë që kanë të drejtë vetoje, Rusia dhe Kina, nuk janë të gatshëm ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Katër vende të Bashkimit Evropian po ashtu janë duke shfaqur hezitimet për njohjen e pavarësisë, mirëpo shefi i diplomacisë suedeze ka thënë se Kosova mund të bëhet anëtare e BE.
Kjo aktualisht duket vetëm teori, pasi perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në familjen evropiane duket ende e largët.
“Po. Nuk ka lidhje formale mes këtyre dyjave (BE dhe OKB). Zvicra ka aplikuar për anëtarësim në BE para kërkesës për anëtarësim në OKB. Ata u bënë anëtarë të OKB, por jo të BE. Por kjo është një çështje tjetër. Por pyetja është relevante në kuptimin se nuk do të ketë njohje jo vetëm nga Rusia, por pres që as Kina mos ta njohë. Kështu që anëtarësimi në OKB i përket së ardhmes”, - ka thënë Bildt.
Bildt gjatë vizitës së tij në Prishtinë iua ka bërë të qartë liderve kosovarë se rruga e anëtarësimit në OKB do të jetë e largët. Mirëpo diplomati suedez thotë se Kosova i ka shanset e mira për t'u bërë anëtare e mekanizmave financiare ndërkombëtare.
Ai ka përmendur Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, ndërsa një ditë më parë gjatë takimeve me liderë ka thënë se Kosova nuk ka shanse të anëtarësimit të shpejtë as në Këshill të Evropës e as në OSBE. Bildt ka thënë se pas pavarësisë fokusi i liderëve kosovarë duhet të zhvendoset tek ekonomia. “Është me rëndësi që të jesh realist në kuptim mundësisë për progres të shpejtë. Kjo do të marrë kohë. Por sa më shumë që dikush pret, aq më shumë kohë humbet”, - ka thënë Bildt.

UNMIK ka mandat të gjerë

Karl Bildt ka thënë se Kosovës i duhet edhe më tej prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, mirëpo ka theksuar se roli i saj duhet të përcaktohet. “Kosovës i duhet ndihma e OKB në disa aspekte në të ardhmen, por kjo duhet të definohet dhe të diskutohet”, - ka thënë ai. I pyetur nëse EULEX mund të fillojë punën për sa kohë UNMIK është në Kosovë, Bildt ka thënë se kjo çështje duhet të qartësohet pas diskutimeve të ekspertëve, mirëpo ka theksuar se UNMIK ka kompetenca edhe më tej në Kosovë.
“Ka disa kompetenca që duhet të mbeten në UNMIK në të ardhmen si në fushën e raporteve ndërkombëtare. Kjo nuk ka të bëjë me EULEX, sepse kjo ka të bëjë me policinë, doganat, gjykatësit. UNMIK ka një mandat mjaftë të gjerë. De facto UNMIK ka mandat për gjithçka nën Rezolutën 1244”, - ka thënë ai

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›