Akordohen 600 mijë euro për vënien në funksion të kanalizimeve në Vlorë
600 mijë euro është fondi i akorduar nga qeveria shqiptare për realizimin e fazës së tretë të projektit të sistemit të kanalizimeve të ujrave të zeza të qytetit të Vlorës, investim që do të parandalojë derdhjen e tyre në det duke mënjanuar ndotjen e mjedisit. Punimet pritet të nisin brenda 2-3 muajve të ardhshëm dhe do të përfundojnë brenda këtij viti. Burime zyrtare të bashkisë së Vlorës thanë se "përmes këtij fondi do të realizohet ndërtimi i sistemit të kanalizimit mes objekteve të banimit, shërbimeve dhe institucioneve zyrtare, me magjistralin kryesor të kanalizimeve për zonën nga Skela deri në Ujin e Ftohtë”. Kjo zone u përcaktua si prioritare, për shkak të rëndësisë dhe ndikimit që ajo ka në pastërtinë e ujërave detare. Dy fazat e para të projektit përfunduan në fund të vitit 2007, gjatë të cilave u realizua ndërtimi i magjistralit kryesor dhe impiantit të përpunimit të ujërave të zeza, të financuara nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit CARDS, me vlera respektive 2.649 milionë dhe 9.7 milionë euro. Aktualisht, në qytetin e Vlorës po zbatohet projekti i ndërtimit të ujësjellësit të ri, që financohet nga qeveria shqiptare dhe ajo e Hollandës me një vlerë prej rreth 26 milionë euro.
...