E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksesi në shërbime për personat me aftësi të kufizuara, gjobë deri në 5 milionë lekë shkeljet nga bizneset

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Bankomatet, platformat online dhe transporti, janë standarde të reja për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara

Një paketë e re rregullash për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara pritet të sjellë ndryshime në mënyrën se si bizneset dhe ofruesit e shërbimeve do të projektojnë dhe ofrojnë produktet e tyre.

Projektligji “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, i nxjerrë për konsultim publik, përcakton kërkesa të reja për një sërë produktesh dhe shërbimesh që përdoren në përditshmëri, duke synuar që ato të jenë të përdorshme nga një numër sa më i madh qytetarësh.

Ndryshimet prekin edhe shërbimet financiare, ku bankomatet dhe terminalet e pagesave duhet të plotësojnë kriteret e aksesueshmërisë. Në të njëjtën kategori përfshihen terminalet e biletave, pajisjet e check-in, sistemet interaktive të informacionit dhe lexuesit elektronikë.

Rregulla të posaçme parashikohen edhe për shërbimet e transportit. Aksesueshmëria duhet të merret në konsideratë në faqet e internetit, aplikacionet celulare, sistemet e biletimit elektronik, informacionin për udhëtimet në kohë reale dhe pajisjet e vetëshërbimit.

Projektligji shtrihet gjithashtu në tregtinë elektronike, komunikimet elektronike, shërbimet audiovizive dhe komunikimin me numrin unik të emergjencës 112.

Për subjektet që ofrojnë këto shërbime, drafti parashikon detyrimin për të dhënë informacion të qartë dhe të aksesueshëm mbi mënyrën se si përmbushen kërkesat e reja. Në rast konstatimi të mospërputhjeve, operatorët duhet të ndërmarrin masa korrigjuese dhe të informojnë autoritetet përgjegjëse.

Një lehtësim parashikohet për mikrondërmarrjet që ofrojnë shërbime, të cilat sipas draftit përfshijnë subjektet me më pak se 10 punëmarrës dhe me xhiro vjetore ose total bilanci deri në 2 milionë euro.

Në rastet kur zbatimi i standardeve do të kërkonte ndryshime thelbësore ose do të krijonte një barrë joproporcionale për operatorin, drafti parashikon mundësinë e vlerësimit të këtij ndikimi. Vendimi duhet të jetë i argumentuar dhe i dokumentuar nga vetë operatori.

Një tjetër fushë ku standardet e aksesueshmërisë do të kenë ndikim është prokurimi publik. Kriteret e përcaktuara në projektligj parashikohet të merren në konsideratë edhe në kontratat dhe shërbimet që prokurohen nga institucionet publike.

Për kontrollin e zbatimit parashikohet përfshirja e autoriteteve mbikëqyrëse sipas sektorëve, ndërsa për shërbimet bankare rol të veçantë do të ketë Banka e Shqipërisë. AKEP dhe AMA do të kenë përgjegjësi përkatëse në fushat e komunikimeve elektronike dhe shërbimeve audiovizive.

Projektligji parashikon edhe një sistem sanksionesh. Shkeljet mund të dënohen me gjobë deri në 5 milionë lekë ose, për shoqëritë tregtare, deri në 0.1% të xhiros totale vjetore të vitit financiar paraardhës, duke u aplikuar vlera më e lartë.

Megjithatë, për shkeljet që mund të korrigjohen, masa ndëshkuese nuk aplikohet menjëherë. Në rastin e parë, operatori mund të paralajmërohet dhe të urdhërohet të marrë masat e nevojshme, me një afat korrigjimi deri në nëntë muaj. Moszbatimi i masave brenda këtij afati përbën kundërvajtje administrative.

Nisma synon kështu të kalojë nga garantimi formal i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara drejt standardeve konkrete të aksesueshmërisë në shërbime, teknologji, transport dhe jetën e përditshme.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›