Aksi Elbasan–Përrenjas–Qafë Thanë, IKMT prish objektin dykatësh në Spathar

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Në zonën e Spatharit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërhyri për prishjen e një objekti dykatësh, në kuadër të zbatimit të projektit infrastrukturor për ndërtimin e segmentit rrugor Elbasan–Përrenjas–Qafë Thanë.
Kreu i IKMT-së, Afrim Qëndro u shpreh se ky segment, është një arterie e rëndësishme e infrastrukturës për gjithë rajonin juglindor të vendit.
Në operacion morën pjesë forca të IKMT-së, të mbështetura nga strukturat e rendit, ndërsa më herët IKMT bëri me dije se ndërhyrje të ngjashme do të vijojnë edhe në zona të tjera përgjatë aksit, në rastet kur konstatohet zënia e hapësirës publike ose shkelje e lejeve të ndërtimit.
Segmenti Elbasan–Përrenjas–Qafë Thanë konsiderohet një ndër projektet kyçe të infrastrukturës rrugore në vend, pasi lidh korridorin ekzistues me zonat kufitare dhe lehtëson qarkullimin drejt juglindjes. Përfundimi i tij pritet të përmirësojë ndjeshëm aksesin dhe të ndikojë në zhvillimin ekonomik të rajonit.
/e.i/a.f/