E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksi është një domosdoshmëri e madhe

15/10/2009  Kryeministri Berisha kërkon nisjen e procedurave për unazën e Tiranës

Ndërtimi do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore

Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë ka kërkuar marrjen e masave të shpejta për përgatitjen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës, ndërtimi i së cilës do të jepet me koncesion. Sipas tij, tenderi ndërkombëtar duhet të përgatitet brenda këtij viti. Për kreun e qeverisë ndërtimi i segmenteve kombëtare, si aksi i Jugut dhe i Rrugës së Arbrit e bëjnë këtë unazë shumë të domosdoshme. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë një projekt madhor dhe të domosdoshëm për infrastrukturën jo vetëm të Tiranës, por edhe të vendit, si një nyjë e rëndësishme mes disa nga akset kryesore kombëtare. “Ndërtimi i kësaj unaze përbën një domosdoshmëri të madhe. Gjatë këtyre muajve kompani ndër më seriozet kanë treguar interes të madh për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Krahu veriperëndimor dhe perëndimor i saj është jetik edhe për faktin se në dy vjetët e ardhshëm parashikohet të përfundojë Rruga e Arbrit, e cila do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, ashtu siç ndodhi me trafikun pas ndërtimit të korridorit të kombit. Edhe kjo rrugë do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, që kësaj radhe bie direkt në Tiranë, te Shkalla e Tujanit, ura e Brarit”, - ka deklaruar ai. Për shefin e ekzekutivit ndërtimi i këtij segmenti rrugor ka një rëndësi shumë të madhe gjithashtu për Tiranën, si një nga qytetet me sipërfaqen rrugore më të vogël në Europë dhe në botë. “Në qoftë se standardi urbanistik është mbi 30 për qind sipërfaqe rrugore për qytetin, kryeqyteti i vendit ka gjithsej 14 për qind sipërfaqe rrugore, çka shprehet me vështirësi të jashtëzakonshme në rritje në trafik, shprehet me një prej ndotjeve më të larta nga automjetet, sepse Tirana nuk ka industritë e mëparshme që ta ndotin”, - deklaroi ai. Kryeministri tha se në ndërtimin e unazës, me gjatësi mbi 30 kilometra dhe e parashikuar me 8 korsi, me përparësi do të shihen segmentet më të rëndësishme të saj, me ndikim shumë të madh në trafik. Sipas tij, segmenti i parë do të jetë nga ura e Brarit për te kthesa e Kamzës ose ura e Limuthit. Ndërsa për segmentin e dytë mund të kalohet nga shkolla teknologjike. Por sipas Berishës një gjë e tillë nuk është e mundur, pasi tashmë zona në fjalë është pjesë e zemrës së Tiranës. Prandaj ai kërkoi që të studiohet me shpejtësi trajektorja. “Do të studiohet trajektorja, sepse aty ku ka qenë ajo nuk kalon dot më, pasi janë ndërtuar me dhjetëra pallate. Segmenti te shkolla teknologjike është e vështirë të pranohet për unazë, pasi ky segment është bërë zemër e Tiranës. Ndaj duhet të studiohet me shpejtësi trajektorja dhe mund të zbritet edhe më poshtë, më drejt jugperëndimit. Faktikisht një pjesë e trajektores në një zonë të Farkës është bërë e pamundur”, - tha Berisha. Duke nënvizuar se ky projekt kap vlera shumë të mëdha, Kryeministri bëri me dije se qeveria do të marrë përsipër riskun e trafikut. “Ne do t’i qëndrojmë kompanisë që e ndërton me zhdëmtim, në rast se trafiku i parashikuar dhe i përllogaritur nuk do t’i plotësohet. Ky përbën një kusht të favorshëm për angazhimin me koncesion të kompanive të mëdha në këtë vepër të madhe dhe shumë të rëndësishme për qytetin e Tiranës dhe mbarë vendin”, - u shpreh ai.

Duke qenë i vetëdijshëm se në ndërtimin e këtij segmenti do të kalohet në zona që janë në administrim të komunave të ndryshme dhe të Bashkisë së Tiranës, Kryeministri Berisha nënvizoi se ky projekt madhor infrastrukturor do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore. Ai theksoi se ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore, me atë të Farkës, të Dajtit, Paskuqanit, Kamzës, me qeverinë vendore të Tiranës, aty ku segmenti kalon në territorin e Bashkisë së Tiranës. Gjatësia e rrugës

Segmenti rrugor i njohur si unaza e madhe e Tiranës do të ketë një gjatësi 30 kilometra dhe është parashikuar të ndërtohet me 8 korsi. Kreu i qeverisë ka thënë se me përparësi do të shihen segmentet më të rëndësishme të saj, me ndikim shumë të madh në trafik, si ura e Brarit–kthesa e Kamzës ose ura e Limuthit. Ai tha se duhet të studiohet një trajektore tjetër, që shmang shkollën teknologjike, pasi është e vështirë të pranohet për unazë, sepse janë ndërtuar me dhjetëra pallate. “Mund të zbritet edhe më poshtë, më drejt jugperëndimit”, - deklaroi Kryeministri Sali Berisha.

Rëndësia e rrugës

Ndërtimi i kësaj vepre në opinionin e Kryeministrit Berisha ka rëndësi shumë të madhe për Tiranën, si një nga qytetet me sipërfaqen rrugore më të vogël në Europë dhe botë. Sipas tij, ndërtimi i akseve kombëtare e bëjnë unazën shumë të domosdoshme. “Në qoftë se standardi urbanistik është mbi 30 për qind sipërfaqe rrugore për qytetin, kryeqyteti i vendit ka gjithsej 14 për qind sipërfaqe rrugore, çka shprehet me vështirësi të jashtëzakonshme në rritje në trafik, shprehet me një prej ndotjeve më të larta nga automjetet, sepse Tirana nuk ka industritë e mëparshme që ta ndotin”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›