E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksi rrugor Gjirokastër - Tepelenëbllokohet nga vërshimi i dherave

GJIROKASTËR - Moti mjaft i keq me reshje shiu që kanë qenë intensive përgjatë dy ditëve të fundit, ka krijuar anomali në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë sidomos në orët e para të së premtes. Tre kanë qenë zonat ku bllokimet detyruan automjetet që vinin në të dy krahët, të qëndronin me orë të tëra në pritje për t’u çbllokuar rruga, si pasojë e vërshimit të dherave, nga lartësitë.

Në zonën e “Ujit të Ftohtë”, masivi i dherave, ka bllokuar tërësisht kalimin e automjeteve në mesnatë, situatë e cila zgjati tre orë rresht. Ndërsa e njëjta situatë, u përsërit në zonën e “Shkallës së Zezë” në afërsi të kufirit administrativ mes Tepelenës dhe Gjirokastrës. Nga bllokimi i rrugës janë bllokuar 3 makina dhe 10 persona mes tyre dhe korrespondenti i TV A1 Report, mes personave të bllokuar nuk ka asnjë të lënduar.

Masivet e dherave këtu, ashtu si dhe në Ujin e Ftohtë, krijuan një gjendje alarmante pasi për fat, kanë shpëtuar nga përmbysja, dhjetë automjete që gjendeshin në momentin e rënies së masivit të dherave dhe bllokimit të rrugës. Personat e bllokuar kanë mundur të largohen pas ndërhyrjes së Drejtorisë Rajonale të Rrugëve.

Ndërsa pak minuta pasi u çbllokua kjo nyje, një tjetër masiv dherash, përmbysi rrugën nacionale në zonën e Urës së Leklit, rreth 2 km larg “Ujit të Ftohtë”. Gjithçka ka qenë e papritur qoftë për Policinë Rrugore e cila ka qëndruar në dispozicion përgjatë gjithë kohës edhe për punonjësit e Ndërmarrjes së Rrugëve Rajonale që kanë punuar intensivisht, për rikuperimin e gjendjes.

Është dashur ndërhyrja energjike e një fadrome të vetme të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, që të normalizonte sadopak lëvizjen në të dy anët e rrugës dhe kjo pas katër orëve kur radha e mjeteve në pritje për të kaluar, shkonte deri në 6 km. Zona e Ujit të Ftohtë dhe ajo e Shkallës së Zezë, gjithmonë shndërrohen në problematike në mot me shira pasi prezenca e shtufës në shtratin gjeologjik të saj, e bën atë të paqëndrueshme dhe me tendencë rrëshqitjeje.

Lajmi fillimisht u publikua në orën  3:40 dhe më pas u përditësua në orën 06:10

(b.m/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›