E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti takon ambasadorin grek, Rokanas: Vullnet për avancimin e zgjidhjes së çështjeve dypalëshe

17-01-2013 / Gazeta 55

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti priti sot në një takim kortezie Ambasadorin e ri të Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas.
Ministri Panariti e uroi Ambasadorin Rokanas për detyrën e tij të re, duke shprehur bindjen se z. Rokanas do të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Ambasadori Rokanas shprehu vullnetin e tij për të punuar me vendosmëri për dinamizmin e marrëdhënieve dypalëshe. Ai siguroi se Greqia mbështet fuqimisht perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë greke për të asistuar në terma konkretë Shqipërinë drejt rrugës së saj në BE.
Gjatë takimit, u diskutua mbi hapat që të dy palët do të ndërmarrin për dinamizmin marrëdhënieve dypalëshe. Në këtë kuadër, të dy qeveritë po punojnë për të zhvilluar së shpejti një takim në formatin ndërqeveritar G-G.
Ministri Panariti kërkoi nga pala greke shtyrjen e moratoriumit që lejon qytetarët shqiptarë të udhëtojnë me dokumentat aktuale që kanë në përdorim, duke qenë se palët kanë avancuar në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për këtë çështje.
Dy bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se duhet punuar së bashku për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët lidhur me çështjen e delimitimit detar, mbështetur në legjislacionin ndërkombëtar dhe të drejtën e brendshme të të dy vendeve.
Z. Panariti përsëriti kërkesën për shfuqizimin e “Ligjit të Luftës”, një ligj absurd i vjetër i Greqisë, veprim i cili do t`i çonte në një stad të ri në marrëdhëniet e dy vendeve.
Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me shqetësim moslejimin e kalimit të shtetasve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, për shkak të mënyrës së shkrimit të toponimeve greke në pasaportat e tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›