E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident industrial në Teksas, 15 viktima

Gazeta Shqip

Shpërthen impianti i prodhimit të plehut kimik, shkaktohet tronditje sizmike

teksas shpethiiPunonjësit e kërkim-shpëtimit kërkuan mbetjet e një impianti për prodhimin e plehrave kimike gjatë ditës së djeshme për të gjetur të mbijetuarit e një shpërthimi masiv që shkaktoi së paku 15 viktima dhe plagosi më shumë se 160 të tjerë. Shpërthimi shkaktoi dëme edhe në shtëpitë e një qyteze të vogël në Teksas.

Tre deri në katër zjarrfikës vullnetarë janë mes të humburve pas shpërthimit që ndodhi natën e së mërkurës, njoftoi policia e zonës së Vakos.

Zjarrfikësit i qenë përgjigjur alarmit të zjarrit te kompania e plehrave kimikë dhe pak më vonë ndodhi shpërthimi që tronditi qytetin Uest, i cili ka 2700 banorë dhe gjendet në veri të Vakos.

Shifrat finale të viktimave nuk janë publikuar ende. Disa janë klasifikuar si zyrtarisht me fat të panjohur, mes të cilëve qenë edhe zjarrfikësit. Ata po luftonin me flakët kur ndodhi shpërthimi.

Një zyrtar ligjzbatues u gjet i gjallë, por në kushte kritike për jetën. Presidenti Obama, i cili shkoi në Boston për ceremoninë mortore të viktimave të bombës së Maratonës, ofroi mbështetje dhe lutje për viktimat e Teksasit.

Një dëshmitar i tha televizionit CBS se ai sapo kishte ngjitur shkallët e shtëpisë në kat të dytë kur ndjeu shpërthimin. Shtëpia shpërtheu. Pati vetëm një dritë verbuese dhe një britmë. Mendova se qe një rrufe që pati goditur shtëpinë, tha dëshmitari. E pashë veten të fluturoja për tre metra para se të kuptoja se çatia pati rënë mbi mua, shtoi ai.

Një shi i lehtë, si dhe erë me shpejtësi mesatare përfshiu zonën gjatë mëngjesit të djeshëm, kushte që mund të komplikojnë përpjekjet për shpëtim dhe të sjellin evakuime shtesë.

Nuk kam parë kurrë diçka të tillë, tha sherifi i kontesë McLennan, Parnell McNamara. Duket si një zonë lufte. Disa nga të plagosurit janë nën kujdes intensiv në spital.

Shpërthimi ndodhi vetëm dy ditë nga 20-vjetori i një ngjarjeje tragjike në qytetin e Vakos, ku një zjarr ra në kompleksin ku banonte David Koresh dhe ndjekësit e tij, zjarr që i dha fund tragjik rrethimit të vendosur nga agjentët federalë. Rreth 82 anëtarë të sektit dhe katër agjentë federalë vdiqën në atë përplasje. Koresh qe një profet që predikonte fundin e botës.

Shpërthim sizmik

Lëvizja e tokës nga shpërthimi, i cili u shkaktua nga një zjarr me origjinë të panjohur, qe në shkallën 2.1 ballë Rihter. Tronditja u ndje deri në Dallas, mbi 120 kilometra më larg.

Zjarrfikësit qenë në vendngjarje dhe po evakuonin shtëpitë pranë për rreth 20 minuta kur ndodhi shpërthimi. Autoritetet evakuuan gati gjysmën e qytetit.

Rreth 50 deri në 75 shtëpi u dëmtuan nga shpërthimi dhe zjarri ndërsa një kompleks prej 50 apartamentesh aty pranë u reduktua në një skelet.

Tre spitale në Vako dhe Dallas raportuan se po mjekonin më shumë se 160 vetë të plagosur nga shpërthimi. Ne po shohim shumë dëme ortopedike… gjëra që ndodhin nga një shpërthim, tha një zëdhënës spitali. Guvernatori i shtetit, Rick Perry, tha se 21 roje kombëtare qenë dërguar për të ndihmuar në operacionet e ndihmës. Obama tha se zyrtarët e emergjencës po monitoronin reagimin e autoriteteve vendore.

Bordi i Sigurisë Kimike të SHBA-së njoftoi se do të dërgojë një skuadër të madhe hetuesish në vendngjarje.

Aksident industrial në Teksas, 15 viktima burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›