E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident me vdekje në det, shkarkohet drejtori i kufirit

Durrës - Ka ndërruar jetë dy ditë pas plagosjes me motor uji një 16-vjçar, ndërkohë që një ngjarje e tillë ka sjellë shkarkimin nga detyra të drejtorit Rajonal të Kufirit të Durrës, komiarit Naim Manuka.


Mësohet se me gjithë masat e ashpra të pretenduara se janë ndërmarrë nga Prefektura e qytetit të Durrësit për shfrytëzimin e mjeteve detare gjatë sezonit turistik, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, teksa planet e hartuara në zyra kanë mbetur thjesht në letër. I riu 16-vjçar Petrit Matraxhiu është shuar në sallën e reanimacionit të spitalit rajonal të Durrësit.


Ai ishte nga fshati "Rinia", pak kilometra larg vendit të ndodhjes së aksidentit dhe është futur në ujërat e këtij plazhi, nga më të qetët dhe më me pak mjete përqark. Teksa notonte 16-vjçari Matraxhiu është aksidentuar nga një motoskaf.


Paralelisht me këtë ngjarje të rëndë mësohet është bërë edhe shkarkimi nga detyra i drejtorit Rajonal të Kufirit në Durrës Komisar Naim Manuka, i cili në mbledhjen e bërë në Prefekturën e Qarkut të Durrësit ka debatuar shumë ashpër me krerët e Pushtetit Vendor të zonave bregdetare duke i akuzuar ata si tepër liberalë dhe ka deklaruar se nuk do të lejohej asnjë mjet të lundronte pa masat e sigurisë në brigje, si dhe vendosjen e bovave dhe shenjave të tjera sinjalistike detare, ku të përcaktohej qartë rrugëkalimi i mjeteve turistike bregdetare. Naim Manuka kishte 5 vjet në drejtimin e Policisë Kufitare dhe të Emigracionit në Durrës.


Aksidenti


Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:30 të së dielës në skajin më jugor të Gjirit të Lalëzit, në një zonë që njihet si plazhi i fshatit Rinia ku banonte 16-vjçari ose plazhi i Bishtit të Kamzës, siç i thonë vendasit, pasi është një plazh i vçantë me shumë pisha të cilat i kanë shpëtuar sharrimeve masive.


Mësohet se 16-vjçari Petrit Matraxhiu po notonte jo shumë larg bregut kur është përplasur me mjetin, drejtuesi i të cilit rezultoi i papajisur qoftë me leje kufitare për të lundruar në këtë zonë sipas rregullave të vendosura, ashtu edhe i papajisur me patentë drejtimi mjetesh motorike detare që lëshohen nga Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve në Durrës.


Viktima 16-vjçare është nxjerrë në breg dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, por pas rreth 40 orësh në gjendje kome, ai ka ndërruar jetë në orët e para të së martës. Si autor i aksidentit u identifikua 38-vjçari Indrit Murati, i cili rezultoi se po e drejtonte motoskafin i papajisur me dëshmi aftësie. Ai është arrestuar rreth orës 22:30 në lagjen 18 të qytetit të Durrësit ku banonte.


Policia


Rreth arrestimit të shkaktarit të vdekjes së të riut policia ka bërë me dije se më datë 18.07.2010, ora 22:30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasi 38-vjçarit Indrit Murati, lindur e banues në lagjen 18 Durrës.


Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, "arrestimi i tij u bë për arsye se më datë 18.07.2010, rreth orës 14:30, në zonën e plazhit në fshatin Rinia, në kohën kur drejtonte një motoskaf i papajisur me dëshmi aftësie, ka plagosur rëndë shtetasin P.M., 16 vjç, banues në Katund i Ri Durrës, i cili në këtë kohë po lahej në det".


Këshilli i Ministrave
Vendosi


1. Lejimin e mjeteve motorike lundruese me flamur të huaj dhe/ose në pronësi të personave a të subjekteve të huaja, si dhe të mjeteve motorike lundruese shqiptare, të përfshira në kategoritë e mëposhtme, të qarkullojnë në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë.


...dh) Motorët e ujit, të cilët vihen në përdorim në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.

2. Në kuptim të shkronjës "dh", të pikës 1, të këtij vendimi, "Motorët e ujit" janë mjete rekreative (çlodhëse), të cilat vihen në lëvizje me anë të një motori turbo, i përshtatshëm për të lëvizur me shpejtësi të madhe.


Për këta motorë veprohet, si më poshtë vijon:
a) Në funksion të lejimit të përdorimit të tyre, zbatohen dispozitat e mëposhtme:
i. Këto mjete lundruese, pasi regjistrohen dhe pajisen nga Kapiteneria e Porteve me lejen e lundrimit, regjistrohen në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, në Policinë e Shtetit, ku dhe pajisen me certifikatën e përdorimit të mjetit lundrues.


Këto akte vërtetojnë përshtatshmërinë e gjendjes teknike të mjetit dhe plotësimin e të gjitha kritereve të përdorimit të përcaktuara në këtë vendim dhe në urdhëresën e njësisë përkatëse të qeverisjes vendore, të nxjerrë sipas shkronjës "b", të pikës 2, të këtij vendimi.


Kapiteneria e Porteve, si dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit, sa herë që lëshojnë ose refuzojnë aktet administrative të sipërpërmendura, njoftojnë institucionin tjetër, si dhe njësinë përkatëse të qeverisjes vendore të vendit ku kryhet veprimtaria, duke u dërguar bashkëlidhur kopje të praktikës dhe të vendimit të marrë.


ii. Strukturat e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, si dhe ato të policisë së bashkisë/komunës përkatëse, mbikëqyrin veprimtarinë e përdorimit të mjeteve dhe, sa herë që vërejnë shkelje të kritereve të përdorimit, zbatojnë sanksionet e parashikuara me ligj, si dhe njoftojnë Kapitenerinë e Porteve, duke propozuar ose duke ndërmarrë, sipas kompetencave, pezullimin a revokimin e lejes së lundrimit dhe/ose të certifikatës së përdorimit.


b) Njësitë e qeverisjes vendore nxjerrin urdhëresa të posaçme për kriteret e përdorimit të motorëve të ujit, të cilat duhet të trajtojnë çështje specifike për këta motorë dhe të jenë në përputhje me rregullat e caktuara më poshtë:


i. Mjetet të përdoren nga shtetas me zotësi të plotë për të vepruar (të aftë fizikisht dhe mendërisht e që kanë mbushur moshën 18 vjç).


ii. Të përcaktohet orari i përdorimit të motorëve të ujit;


iii. Zonat (vendet) e përdorimit të motorëve të ujit të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të vçantë, ku të tregohen edhe korridoret e hyrjes dhe të daljes nga deti dhe distancat e ushtrimit të lundrimit;


iv. Përdorimi i motorëve të ujit të lejohet në një distancë jo më të vogël se 100 - 300 metra (sipas thellësisë së ujit) dhe jo më larg se 1 milje nga bregu;


v. Largimi dhe afrimi në breg të bëhet me shpejtësi të reduktuar 4 nyje;
vi. Të mos lejohet afrimi i motorëve të ujit në një distancë më të vogël se 200 metra tek mjetet e tjera lundruese që janë në lundrim, në spirancë, në radat e porteve detare, etj.;
vii. Personat që kanë në pronësi dhe në përdorim mjet lundrues (motor uji), mbajnë përgjegjësi për:


- bërjen të njohur përdoruesve të rregullave e të kritereve të përdorimit të mjetit;
- mbajtjen nën kontroll, si nga pikëpamja vizuale, ashtu edhe nëpërmjet komunikimit e komandimit në distancë të mjetit, gjatë gjithë kohës së lëvizjes së lëvizjes së tij;
- pajisjen e veshjen e përdoruesve me mjetet e shpëtimit.


c) Urdhëresat e nxjerra nga njësitë e qeverisjes vendore, si dhe çdo ndryshim i bërë në to, u njoftohen Kapitenerisë së Porteve, Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, në Policinë e Shtetit, dhe Rojës Bregdetare.


3. Ngarkohen Policia e Shtetit, Kapiteneria e Porteve, Roja Bregdetare dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Vdes 17-vjçari, vuante nga zemra


ELBASAN - Një 17-vjçar ka gjetur vdekjen si pasojë e një goditjeje në zemër. Burime të policisë bëjnë të ditur Leonard Çipi me banim në fshatin Çepë të Belshit është ndier keq kur është kthyer në shtëpi pasi kishte kullotur bagëtitë. 17-vjçari kishte probleme me zemrën për të cilën merrte mjekime.


Me gjithë transportin e menjëhershëm për në spital, i riu ka gjetur vdekjen dhe mjekët nuk kanë pasur asnjë mundësi për ndërhyrje. Me të marrë njoftimin në vendin ku është lajmëruar ngjarja, është dërguar një ekip hetimor. Mësohet se është vërtetuar se vdekja ka qenë natyrale për shkak të gjendjes shëndetësore. Temperaturat e larta kanë bërë që djali ta pësojë për shkak se kishte probleme me zemrën.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›