Gjyqtarja nuk dorëzon dosjet, zbon sekretaren dhe inspektorët e KLD-së
Ndoja prej disa muajsh refuzon të dorëzojë dosjet e seksionit administrativ që ka pasur në shqyrtim
Në muajin mars, duhej të kishte dorëzuar 193 dosje, pasi ishte transferuar si gjyqtare në seksionin e çështjeve familjare
TIRANË- Gjyqtarja e seksionit familjar, Miranda Ndoja, që deri pak muaj më parë shqyrtonte dosjet civile të seksionit administrativ me kalimin e saj në seksionin e gjykimit familjar, ka refuzuar të dorëzojë dosjet e çështjeve administrative, duke i mbajtur peng ato që nga marsi i këtij viti.
Lajmi konfirmohet nga drejtuesit e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, të cilët theksuan se gjyqtarja Ndoja prej muajsh mban "peng" 193 dosje të ndryshme pa i dorëzuar dhe gjykuar. "Prej muajit mars, me një urdhër të brendshëm, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë, Artan Zeneli, në bazë të ligjit për funksionimin e gjykatës, vendosi ndryshimin e trupave gjyqësore.
Mes tyre ai ka vendosur edhe kalimin e gjyqtares Miranda Ndoja nga seksioni administrativ në seksionin familjar. Por që prej kohës së lëshimit të këtij urdhri, gjyqtarja Ndoja nuk pranon të dorëzojë dosjet gjyqësore të seksionit administrativ.
Shkaqet për mos dorëzimin e këtyre dosjeve, janë "personale të saja"- thanë burime të gjykatës.
Të njëjtat burime konfirmuan se i është kërkuar disa herë gjyqtares të dorëzojë 193 dosjet gjyqësore, por ajo ka refuzuar duke u shprehur se "për arsye personale nuk i dorëzoj".
Mos dorëzimi i këtyre dosjeve ka alarmuar kryetarin e kësaj gjykate, i cili me anë të shkresave zyrtare ka njoftuar Ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, dhe zv/kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiut duke i kërkuar ndihmë për ngërçin e krijuar.
"Pak ditë më parë, pranë zyrës së gjyqtares Ndoja, u paraqitën dy inspektorë nga KLD-ja dhe nga Ministria e Drejtësisë, por gjyqtarja nuk pranoi t'i takojë, duke mos iu dhënë asnjë shpjegim,- thanë për "Shekullin" drejtuesit e këtij institucioni.
Sipas ligjit për funksionimin dhe punën e gjyqtareve të Gjykatës së Shkallës së Parë, në momentin që gjyqtari transferohet në një seksion tjetër (psh.nga ai administrativë në familjar) për gjykimin e çështjeve, dosjet e mbetura i dorëzon për t'u rigjykuar.
Më pas ato dosjet gjykohen nga një gjyqtar tjetër i atij seksioni ku gjyqtari i transferuar ishte deri në momentin e ndryshimit të seksionit.
Ndërkohë, gjyqtarja Ndoja edhe pse është caktuar në seksionin familjar, dosjet administrative vazhdon t'i mbajë në zyrën e saj. Gjithashtu, përveç shkresave drejtuar krerëve të drejtësisë, pranë kësaj gjykate janë deponuar një sërë ankesash nga qytetarë të ndryshëm, dosjet e të cilëve janë në gjykim nga gjyqtarja Ndoja.
Mes këtyre dosjeve, janë çështjet administrative që kanë afate deri në 1 muaj për shqyrtimin e tyre, urdhra ekzekutimi që kanë afate ligjore deri në 5 ditë, apo kundërshtime afatesh përmbarimore që kanë afate 20 ditë, çështje këto që kanë mbetur pezull. Ndërsa, në derën e zyrës së gjyqtares Ndoja ndodhet një shënim i ngjitur ku thuhet se "proceset shtyhen dhe palët do të njoftohen".