E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident në Fier-Lushnjë/ Makinat përplasen me njëra-tjetrën dhe përfundojnë në kanal, 4 të plagosur

Katër persona janë plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë të regjistruar në aksin rrugor Fier–Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën dhe përfunduan në kanalin anësor të autostradës.

Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në të dy mjetet dhe plagosjen e katër personave që udhëtonin me to. Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës dhe policia, të cilat u dhanë ndihmën e parë të lënduarve dhe organizuan transportimin e tyre drejt Spitalit Rajonal të Fierit për trajtim mjekësor.

Burime paraprake bëjnë me dije se katër të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po marrin kujdesin e nevojshëm në spital. Ndërkohë, grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›