Aksident në aksin Elbasan-Peqin, përplasen automjetet, 1 i vdekur
Një person i vdekur dhe një tjetër i plagosur rëndë është bilanci i një aksidenti automobilistik të regjistruar pasditen e sotme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur Paulesh, ku një automjet tip Benz me targa AA 523 DA është përplasur me një tjetër automjet me targa AA 991 AF.
Për pasojë kanë mbetur të plagosur drejtuesit e dy automjeteve të përfshirë në aksident, të cilët janë transportuar menjëherë drejt spitalit kirurgjik të Elbasanit për marrjen e ndihmës mjekësore. Pavarsisht ndihmës së mjekëve, aksidenti për drejtuesin e automjetit tip Benz, Dashamir Leka, ka rezultuar fatal duke ndërruar jetë në spital vetëm pak minuta pas aksidentit.
Ndërkaq burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se në gjendje të rëndë për jetën gjendet edhe drejtuesi i mjetit tjeter me targa AA 991 AF, Arben Poroçani. Policia e Elbasanit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.