Aksidentet marrin pesë jetë njerëzish
Gjatë 24 orëve të kaluara, 3 aksidente kanë shënuar viktimat e radhës. Shkak shpejtësia dhe infrastruktura
Në qytetin e Fierit mbetën të vdekur babë e bir në një aksident, ndërsa në një tjetër babë e bir u plagosën
Aksidentet kanë marrë sërish jetë njerëzish. Pesë të vdekur dhe pesë të plagosur është bilanci i 24 orëve të kaluar në tri aksidente të ndodhur në qytetin e Fierit dhe në Kavajës.
Shkak për ngjarjet dyshohet të ketë qenë shpejtësia e automjeteve, mungesa e ndriçimit në rrugë, si dhe pakujdesia, ndërkohë që viktimat në Fier, në të dy aksidentet e ndodhura kanë qenë babë e bir. Ndërkohë, në aksidentin e ndodhur në Kavajë me tre viktima, vetëm dy prej tyre ishin identifikuar deri në orët e vona të mbrëmjes.
Aksidentet në Fier
Ka qenë ora rreth 23:30 e mbrëmjes së të martës kur në afërsi të Qenasit, rreth 2 kilometra nga qyteti i Fierit, automjeti i drejtuar nga Xhevit Arapi është përplasur me një bordurë betoni dhe më pas ka përfunduar në një kanal.
Shkak për humbjen e kontrollit të automjetit mësohet të ketë qenë dalja para "Benz"-it e një biçiklete. Për shkak të mungesës së ndriçimit në rrugë, biçikleta është parë nga drejtuesi vetëm në sekondat e fundit. Duke dashur të evitojë përplasjen, drejtuesi i saj ka kthyer timonin, por ka humbur kontrollin e makinës.
Automjeti është përplasur me një bordurë e më tej ka përfunduar në kanal. Si rrjedhojë kanë gjetur vdekjen 50-vjeçari Xhevit Arapi, por edhe djali i tij 23-vjeçar Ledion Arapi, ndërsa është plagosur drejtuesi i biçikletës.
Megjithëse dyshohet se shkak për përplasjen e fuqishme ka qenë shpejtësia, mungesa e ndriçimit në rrugë ka bërë të vetën. Kështu, teksa oficerët e policisë gjyqësore dhe ekspertët kryenin veprimet në vendngjarje, një automjet që shkonte në drejtim të Fierit, për shkak të errësirës është përplasur me një nga makinat e policisë, ndërsa kjo e fundit ka goditur dhe dy të tjerë. Por fatmirësisht pa pasur pasoja në njerëz.
Disa orë pas aksidentit të parë, tre anëtarë të një familjeje kanë mbërritur në spital. Familja e Qemal Bushit, e përfshirë në aksident po vinte nga Greqia në drejtim të Fierit. Në vendin e quajtur "Kthesa e Patozit", makina është përmbysur si pasojë e humbjes së kontrollit. Kështu ka mbetur i plagosur Qemal Bushi, 36 vjeç, djali i tij 6-vjeçar Marigleni dhe një 48-vjeçar që ndodhej në automjet. Babë e bir ndodhen në reanimacion.
Aksidenti në Kavajë
Rreth orës 13:40 një karambol i ndodhur në aksin Kavajë - Durrës i ka marrë jetën 3 personave që ndodheshin në bordin e një mjeti tip "Golf" me targa greke i cili u përplas me një autobot të Kavajës që udhëtonte në kah të kundërt me të.
Ndërkohë një person ka mbetur i plagosur. Mësohet se viktimat janë Çelik Dashi, 31 vjeç, Fatjona Alliu, 27 vjeçe, ndërsa e paidentifikuar deri në orët e vona të mbrëmjes ishte një grua rreth të 50-tave.
Ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Fatmir Alliu. Mësohet se fatkeqësia ka ardhur si pasojë e përplasjes së automjetit ku udhëtonin tre viktimat me një autobot, i cili ishte nisur për të dërguar ujë pranë lokaleve të shumta të zonës së plazhit.
Viktimat ndodheshin në "Golf" së bashku me një person të katërt që i shpëtoi vdekjes. Policia ka bërë përpjekje të mëdha për të nxjerrë nga makina trupat e viktimave pasi automjeti i tyre ishte deformuar keqazi.
Ekspertët e policisë rrugore kanë deklaruar pas ngjarjes dhe kontrollit të rrethanave të ngjarjes se vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe tejkalimit të normave të lejuara të shpejtësisë.
Fillimisht policia ka pasur vështirësi për identifikimin e viktimave pasi nuk kishin as dokumente, por një person që ka mbetur i plagosur, Fatmir Alliu, nga Librazhdi, pas ndihmës së dhënë mjekësore, ka arritur që të komunikojë dhe të japë emrat e dy prej viktimave që kishin humbur jetën, kurse për personin e tretë u shpreh se nuk kishte dijeni kush ishte.
Dëshmitë
Banorët e zonës që janë ndodhur në afërsi të aksidentit u shprehën se makina me targa greke po ecte me shpejtësi të madhe dhe se ka qenë faji i drejtuesit të saj që çoi në përplasjen fatale.
Një banor i zonës, I.Berisha, që shet si ambulant mjete për makinat në afërsi të shkollës 9-vjeçare, ku ndodhet edhe kryqëzimi i rrugës së Qerretit me autostradën Durrës - Kavajë, e kishte parë qartë skenën e përplasjes dhe tha për "Shekulli"-n se mjeti që u dëmtua po ecte me shpejtësi të madhe në drejtim të Kavajës, ndërkohe që autoboti po vinte nga Kavaja për të hyre në kthesën e Qerretit.
"Vetura e vogël, - tha shitësi ambulant, - po ecte shumë shpejt dhe pasi parakaloi një mjet para tij u ndodh para rrugës së bllokuar dhe iu ngjesh autobotit të ujit në drejtim të timonit.
Pas përplasjes kanë devijuar nga rruga e kanë rënë në pjesën anësore të rrugës, në një kanal me ferra të shumta". Ndërkohe që në vendin e ngjarjes kishin mbetur ende pjesë të kapërthyera të mjetit të vogël me marmitën e autobotit, pasi, me sa dukej, kishte ndodhur një saldim i ftohtë i pjesëve nga forca e përplasjes vdekjeprurëse. Policia ka shoqëruar për në Komisariatin e Kavajës drejtuesin e mjetit deri në sqarimin përfundimtar të rrethanave të aksidentit.