"Kamila jonë? Një njeri me kokë burri e trup gruaje"
Intervistë me pjesëtarin shqiptar të grupit "La Fame di Camilla", Ermal Meta. Këndoi për herë të parë për publikun në "Vlora Wave"
"Vlora Wave" nisi mbrëmjen e së martës në stadiumin "Flamurtari" të qytetit. "La fame di Camilla", bandë muzikore italo-shqiptare, me lider këngëtarin dhe instrumentistin shqiptar, Ermal Metën, hapën festivalin. Ai dha për "Shekulli"-n një intervistë të shkurtër pas këtij prezantimi të parë live për publikun shqiptar.
E krijuar në Bari më 2007-ën, muzika e saj është një kombinim i influencave muzikore që ky grup ka pasur nga indie-pop dhe alternative, pop dhe indie-rock. Grupi i përbërë nga Meta, Giovanni Colatorti, Dino Rubini dhe Lele Diana, vazhdon të jetë në një kulm suksesi, në gjithë radiot italiane dhe në kanalet kryesore televizive. "Historia e një përralle", që i priu albumit të parë, ishte kënga e parë me të cilën hynë në treg.
Djemtë e "La fame di Camilla" u nisën dje drejt Italisë.
Si u krijua grupi juaj?
Grupi ynë ka lindur para dy vjetësh, në 2007-ën, në një takim të rastësishëm, në muzikë kuptohet që drejtimi ynë duhet të ishte i përbashkët për arsye se dihet që muzika shkon me njëra-tjetrën (rrymat). Ne na bashkoi gjithë eksperienca muzikore që gjithsecili prej nesh ka pasur me shumë grupe të tjera, ku ne, duke bashkuar përvojën tonë, krijuam diçka të veçantë e të rëndësishme.
Emri i grupit si lindi?
Emri i grupit lindi nga një koncept filozofik, nga një filozof i viteve 1800, që quhet Forebak dhe që thoshte se njeriu përbëhet nga gjërat që ha. D.m.th. je ajo me çfarë ushqehesh. Ne ushqehemi me muzikë dhe uria jonë në këtë rast, "La Fame di Kamila", është muzika. Ne pikërisht këtë koncept filozofik e vendosëm në vetvete. Kamila është një figurë, nuk është një personazh që ekziston.
Është një figurë që ne i dhamë një vizatimi, i cili përshkruante një njeri me kokë burri, me trup gruaje, eliminimin e seksualitetit dhe ç'ngelte nga figura ishte komplet emocion dhe pikërisht për këtë vendosëm ta quanim Kamila.
Si ndodhi, një shqiptar mes këtij grupi me italianë?
Unë kam 16 vjet që jetoj në Itali. Njihemi të gjithë njëri me tjetrin, por me këta të tre u takova krejt rastësisht. Unë kisha pas një eksperiencë në 2006-ën, kur isha në Sanremo me një grup tjetër.
Aty jemi takuar, si dhe njiheshim pak, dhe vendosëm të bashkëpunonim nga ana kreative dhe pasi kolauduam, na doli diçka e mirë, bashkëpunuese, kështu që vendosëm të krijonim grupin tonë.
Ne bëmë koncerte për rreth 2 vjet në pothuajse në gjithë Italinë, ku dhe firmosëm një kontratë me shtëpinë diskografike "Universal".
Ju pëlqeheni shumë në Itali, besoni se keni fansa dhe në Shqipëri, duke ditur që ju jeni shqiptar?
Natyrisht, nuk e kemi idenë se si mund të pritet muzika jonë në Shqipëri, por populli ynë është një populli i ndjeshëm dhe mendojmë se do të na japin shumë emocion, dhe qëllimi ynë si grup është t'i dhurojmë emocione me muzikën tonë publikut shqiptar e kudo ku ne këndojmë, shpresojmë që të njëjtin sukses që grupi ynë po korr në Itali, ta kemi këtu në Shqipëri, për arsye se jam shqiptar vetë.
Pse keni zgjedhur Vlorën?
Ne zgjodhëm Vlorën për arsye se na ftuan, por Vlora për mua ka një rendësi të veçantë, sepse i vogël unë fëmijërinë e kam kaluar nëpër rrugicat e Vlorës. Është një qytet me të cilin jam shumë i lidhur, edhe për arsye se kur ika për në Itali, në Vlorë lashë të afërmit e mi: mamanë, gjyshen gjithçka dhe kisha shumë vite pa ardhur, si në Shqipëri dhe në Vlorë. Të kthehesh në Vlorë për të bërë muzikë, për të bërë një koncert për mua e grupin tim, ishte shumë e rëndësishme.
Ne "Vlora Wave" na u paraqit si një koncert, festival shumë i qartë në pikat e saj, dhe ne vendosëm krejt natyrshëm për të marrë pjesë në të.
Përse zgjodhët Vlorën? (anëtarët e grupit)
Sepse është atdheu i kolegut, pjesëtarit tonë të grupit; në radhë të dytë sepse është një qytet shumë mikpritës, artdashës dhe shumë i bukur dhe shpresojmë që qyteti e qytetarët e Vlorës ta pëlqejnë muzikën tonë. Shpresojmë që këngët tona të pëlqehen dhe në Shqipëri ashtu siç pëlqehen dhe në Itali.
Ky është i pari turne koncert që ne zhvillojmë jashtë kufijve të Italisë dhe shpresojmë që Vlora të jetë një trampolinë për koncerte të tjera në vende të ndryshme si brenda, ashtu e jashtë Italisë e Shqipërisë.
Autori Roberto Saviano është rrëfyer për "The Times": "Kur e shoh librin tim në vitrina, e kthej kokën në anën tjetër."
Saviano: "Tani e urrej Gomorrën"
Kjo është deklarata: "E urrej Gomorrën, e urrej me gjithë zemër." Këtë të vërtetë të thjeshtë, autori i shumëlakuar Roberto Saviano, i romanit të supershitur "Gomorra", e ka thënë për një gazetë angleze, për një publik që nuk është vendi i tij.
E përditshmja italiane "La Repubblica", e ka rimarrë në faqet e saj këtë qëndrim të shkrimtarit ndaj kryeveprës së tij, ndaj "librit të mallkuar" që e shtyu në ekzil, po e privon nga liria, nga rutina e mrekullueshme e përditshmërisë, nga deti dhe bora, nga një shtëpi normale, nga një pica me miqtë në mbrëmje.
Një "jetë muti", shkruan Saviano, i cili i është rrëfyer "The Times"-it se nostalgji ka për kohën kur ishte njeri i lirë. Prandaj e urren "Gomorrën".
Ai ka pohuar se është penduar që e ka shkruar romanin, por është penduar si njeri, jo si shkrimtar. Dhe është hera e parë që autori flet me një gjuhë kaq zeher për librin e tij, si ndoshta asnjë shkrimtar tjetër i gjallë a i vdekur.