Aksidentet mirësetëvijnë
Erion Kristo
Ne ngatërrojmë aksidentin me zakonin. Aksidenti është diçka që ndodh pavarësisht vullnetit njerëzor. Kurse zakoni është krijimi i një lloj mirëkuptimi me gjërat që na rrethojnë. Kemi zakon të pimë kafe, të qerasim në vetë të parë, të tymosim aty ku nuk lejohet, të masakrojmë gratë, e të tjera të tilla, ku bashkohet vullneti me dëshirën. Kësisoj ne ngatërrojmë edhe aksidentet rrugore me zakonin tonë të përhapur të maltuzianizmit rrugor, pra me dëshirën tonë për asgjësim e vetasgjësim. Nuk ka asgjë rastësore në masakrat tona rrugore. Nuk ka asnjë ndëshkim nga Zoti, apo pamundësi fatale. Ka vetëm dhe vetëm një gjë. Prehje. Ne prehemi, ndërkohë që nuk duhet të prehemi. Ne presim ndërkohë që skemi as çfarë të presim. Dhe mallëngjehemi madhërisht dhe bashkërisht kur kuçedra e uritur e vdekjes me shumë koka, shfaqet egërsisht mes nesh. Po ndërkohë e kemi mësuar të ushqehet me mish njeriu. Ndaj kjo pleqëri e parakohshme që na ka zënë, nuk ka lidhje me asnjë keqrenditje gjenesh, me asnjë orbitë fatale asteroidesh apo me hijen e errët që Saturni hedh mes shpirtrave tanë. Këtu bëhet fjalë vetëm dhe vetëm për diçka të dëshiruar, madje të kërkuar.
Aksidentet mirësetëvijnë. Po përpara kësaj duhen bërë disa pyetje prej njeriu mentor e parashikues. Pyetjet i drejtohen vetes, komunitetit, shtetit, madje dhe ndërkombëtarëve, ose të paktën atyre që hiqen si miq të Shqipërisë.
Seria e parë e pyetjeve për veten, përmban pyetje të thjeshta. Përpara se ti jap gaz makinës, a është bërë kontrolli rutinë nëse ndokush, ndonjë fëmijë apo objekt mund të pengojë lëvizjen? Shumë fëmijë do të ishin bërë burra sot vetëm po të zbatohej ky rregull i thjeshtë. A janë kontrolluar gomat nëse janë të shfryra? A janë vendosur fëmijët në pjesën e prapme të makinës, të lidhur, dhe në ndenjëse të posaçme? A është vendosur rripi i sigurimit për vete dhe për pasagjerin në vend të parë? A keni mësuar të ngisni dy makina në të njëjtën kohë, pra, a jeni kujdesur që të ngisni edhe makinën e tjetrit përveç makinës tuaj, që të shmangni me kujdesin tuaj edhe gabimin e tjetrit? A jeni kujdesur që të mos pini alkool duke e ditur se do ngisni makinën?
Ndërsa pyetjet për komunitetin janë edhe më të lehta. A kanë folur aq sa duhet ekspertët e fushës, shoqatat, shoqëria civile, bota akademike për humbjen e jetëve nga aksidentet rrugore dhe për parandalimin e tyre? A janë bashkërenduar ato në veprimtarinë e tyre? A ka punuar sa duhet media që njerëzit të njihen më mirë me të keqen që vetëprodhojnë dhe që mund ta vetëzhdukin në rast se vetëvendosin kësisoj? A janë angazhuar njerëzit e shquar të kombit në shërimin e plagëve të këtij kombi, apo janë kujdesur vetëm për veten e tyre?
Dhe në fund vijnë pyetjet për institucionet. A do të ishte më e arsyeshme që energjia e shpenzuar nga vetë drejtuesit e vendit, në makina, karburant, mbledhje të paparashikuara, emocionalitet, humbje kohe nëpër vizita, të shpenzohej paraprakisht, përpara se e keqja të pllakosë? A duhet të vijojnë punën e tyre disa njerëz që kanë për detyrë të ushtrojnë disa funksione, duke mbajtur në kurriz peshën e jetëve të humbura? A ka bashkëpunim mes institucioneve shtetërore për këtë çështje? A ka bashkëpunim mes tyre dhe shoqërisë civile? A janë kthyer shkollat në qendra edukimi për këto çështje? A kanë ofruar gjykatat drejtësi në këtë fushë apo kanë nxjerrë dhjamë nga pleshti? Pushteti vendor a është kujdesur për banorët? A do vazhdojë të kushtojë një njeri më pak se sa një tabelë? Dhe në fund, një pyetje për ndërkombëtarët, sidomos për ata që shqetësohen për të drejtat e pakicave. A janë të shqetësuar për këtë pakicë njerëzish që po pëson padrejtësi në humbjen e jetës? Po nëse nuk janë, a mund të shqetësohen dhe për ta, për këtë pakicë të nëpërkëmbur? Ka edhe shumë pyetje të tjera, të lehta sigurisht, po që të çojnë drejt përgjigjeve të vështira. Dhe janë pikërisht përgjigjet ato që kanë më tepër vlerë.