Bashkëmoshatareve të mija
Julian Hoxhaj
Lot, dhimbje, ulërima, nëna që vajtojnë,baballarë që qajnë në heshtje, pedagog që ulin kryet, studentë që bisedojnë me njëri-tjetrin dhe qajnë në heshtje, gazetarë që transmetojnë pa reshtur, politikanë dhe personalitete që pasojnë, qytetarë që vijnë të heshtur dhe përloten kur kalojnë para fotografive të 11 engjëjve të vendosura në hollin e universiteti Aleksandër Xhuvani. Ndoshta kjo ishte hera e parë që kur ky universitet është themeluar të kishte kaq vëmendje. Kjo ishte e marta më e dhimbshme e Elbasanit. Sot nga gjiri i familjeve u ndanë 11 bija të cilat ishin filiza të reja, plotë ëndrra, dikush e fejuar, dikush tjetër e dashuruar dhe ëndërronte që këtë dashuri ta kurorëzonte, dikush tjetër priste diplomimin dhe këtij diplomimi donte ti shtonte dhe disa ditë pushime të bukura në Sarandë. Këto bija, motra të dikujt, shoqe të dikujt tjetër, sot nuk ndodhen më mes nesh.
Ato u larguan nga kjo jetë në një mënyrë dhe kohë të pa drejtë. Ato ikën për të lënë pas kujtime, për të lënë pas dhimbje tek prindërit, të cilët sakrifikuan gjithçka që këto vajza të dilnin në jetë të denja, të ishin të arsimuar, të mos vuanin ashtu siç vuajtën prindërit e tyre, që tashmë duket se për ta është shkruar që të vuajnë deri sa tu shkojnë pranë bijave të tyre. Sot askush nuk fliste. Të gjithë heshtnin! Heshtnin sepse ishte e vetmja gjë që mund të bëje. Për ne studentët e universitetit të Elbasanit kjo ngjarje do të mbetet një njollë e madhe e cila do të na shoqërojë gjatë gjithë jetës.
Fytyrat e këtyre vajzave do nguliten për jetë, për të na kujtuar se ato janëmes nesh dhe na shoqërojnë në çdo hap të jetës më të sigurt. Zoti i mëshiroftë! Shpirti i tyre tashmë duhet të jetë në poltronet më të larta të parajsës. Askush prej nesh nuk e priste këtë ngjarje. Ato vet, ashtu si dhe ne që sapo ishim kthyer nga ekspedita me të njëjtin autobus dhe me të njëjtin shofer, mezi e prisnin këtë ekspeditë për të kaluar disa ditë pushimi dhe pas kthimit për të nisur përgatitjet për provimin e diplomimit.
Fjalët janë të tepërta. Dhimbja nuk mund të shprehet as me fjalë e as me lot. Ajo duket si një barrë e rëndë që çdokush mban brenda vetes dhe kërkon ta nxjerrë jashtë pasi e gërryen dhe nuk ka më fuqi ta mbajë. Mendja jonë sot ka ndaluar në letargji dhe laringu nuk artikulon dot më fjalë. Zoti i prehtë në paqe.