Aksidentet, prokuroria: Fajin e kanë viktimat
VLORË - "Mungesa e një eksperti të mirëfilltë në policinë e Vlorës po bën që në të gjitha rastet e aksidenteve të rezultojë që viktima është fajtore",- është shprehur kreu i prokurorisë së këtij qyteti, Sokol Malaj, gjatë analizës së punës njëvjeçare të drejtorisë së policisë. Duke folur lidhur me sektorin e qarkullimit rrugor, kreu i prokurorisë ka evidentuar mungesën e një eksperti të mirëfilltë duke u shprehur se ka shumë akte ekspertimi që nxjerrin me shkelje viktimën, çka e detyron organin e akuzës të kërkojë akte riekspertimi nga Tirana. Gjithashtu Malaj ka nxjerrë në pah problemin e ndryshimit të shpeshtë të zëvendësdrejtorëve, çka ka bërë që bashkëpunimi prokurori - polici të kthehet në joefikas. Problematike është cilësuar edhe numri i vjedhjeve, të cilat kanë pësuar një rritje të ndjeshme. Sidomos kjo rritje është ndier në vjedhjen e linjave të rrjetit elektrik, të cilat kanë një shtim në maksimum, çka ka bërë të ulet dhe zbulueshmëria. Me privatizimin e OSSH-së, sipas kreut të prokurorisë, vjedhja e linjave të energjisë elektrike është bërë edhe më evidente, vjedhje këto që dyshohet t'i kenë realizuar punonjës apo ish-punonjës të këtij sektori.