E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, fituesit shpallen me 7 shtator

Ministria e Arsimit konfirmon se nuk do të ketë formular A3 dhe A4. Gjithçka do të mbyllet me formularin A2


Gjimnazistët, shpresa e fundit, zhvendosja e listës rendore pas përfundimit të regjistrimit të fituesve

Më 7 shtator përfundon ankthi i pritjes për rreth 40 mijë kandidatët për universitete publike. Sipas Ministrisë së Arsimit, në këtë ditë të gjithë ata që kanë aplikuar në një universitet publik, do të mësojnë nëse kanë fituar apo jo, në një nga programet e preferuara të tyre, të cilat i kanë përzgjedhur në formularin A2. Këtë të premte, MASH mbyll zyrtarisht procesin e aplikimit për në universitete ose, e thënë ndryshe, pranimet e formularit A2.


Fill pas kësaj dite, APRIAL do të nisë punën për përllogaritjen e pikëve të të gjithë maturantëve. Sipas burimeve zyrtare të MASH, procesi i përzgjedhjes së fituesve në universitetet publike, për këtë vit do të mbyllet me formularin A2. Për herë të parë këtë vit nuk do të ketë formularë A3 dhe A4.


Kështu, MASH për këtë vit ka ndryshuar procesin e përzgjedhjes së fituesve, duke lënë mënjanë formularët shtojcë. Pas publikimit të rezultateve më datë shtatë shtator, të gjithë fituesve do t'u lihet një hapësirë kohore për t'u regjistruar në degët që ata kanë rezultuar fitues.


Përvoja e viteve të mëparshme ka treguar se një kandidat mund të rezultojë fitues në dy apo më shumë degë, nga ato që ka preferuar në formularin A2, por, sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, një kandidat ka të drejtë të regjistrohet vetëm në një program studimi. Kjo do të thotë që për degë të caktuara, pas përfundimit të procesit të regjistrimit, do të ketë të kuota të lira.


Në vitet e mëparshme, pasi universitetet publikonin vende të lira, MASH hartonte formularin A3, nëpërmjet të cilit kandidatët që nuk kishin fituar gjatë fazës së parë, kishin mundësinë të përzgjidhnin mes degëve që ofroheshin.


Pas përfundimit të kësaj faze të dytë rezultonin sërish kuota bosh, të cilat plotësoheshin në një fazë të tretë, nëpërmjet një tjetër formulari preferencash, formularit A4. MASH deklaron se këtë vit formula e pranimeve do të jetë ndryshe.

Kështu, pas përfundimit të regjistrimit të fituesve të fazës së parë, universitet do të publikojnë sërish kuotat e parealizuara.


Por, kësaj here, ata që do të përfitojnë do të jenë studentët që ndodhen poshtë vijës së fituesve në listën rendore. Një shembull: Fakulteti i Drejtësisë për këtë vit do të pranojë 400 studentë në vitin e parë. Pas përllogaritjes së pikëve, APRIAL do të publikojë listën rendore të të gjithë aplikantëve që kanë kërkuar këtë degë, por vetëm 400 të parët do të rezultojë fitues.


Ata do të kenë në dispozicion një afat kohor të caktuar për të kryer regjistrimet pranë këtij fakulteti. Nëse pas përfundimit të regjistrimeve ky fakultet do të raportojë kuota të lira, nga këto kuota do të përfitojnë kandidatë që janë renditur pas numrit 400. Në rast se ky fakultet do të publikojë 50 vende të lira, vija e fituesve do të zbresë deri tek numri 450.


Nëpërmjet kësaj formule të re, Ministra e Arsimit synon që të përfundojë sa më herët procesin e pranimeve në universitet, në mënyrë që të mos ketë pranime dhe ripranime deri në fund të semestrit të parë të vitit akademik, duke bërë që një pjesë e studentëve të humbisnin provimet e sezonit të shkurtit.


Sipas burimeve të MASH, këtë vit të gjithë kandidatët që do të rezultojnë fitues gjatë fazës së parë apo të dytë, do të ulen në auditorë me katër tetor. Pas kësaj date nuk do të ketë më pranime në universitet publike në vend.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›