E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti Belgjika pergatit kthimin e trupave

Autoritetet belge po përgatiten të kthejnë në shtëpi trupat e 22 fëmijëve dhe gjashtë të rinjve që humbën jetën në aksidentin tragjik automobilistik.

Dy avionë ushtarakë të tipit “Hercules” janë vënë në gatishmëri për të kryer transportin, ndërkohë që qeveria belge do të mbajë së shpejti një mbledhje urgjente.

Autobusi ku udhëtonin 52 persona që ktheheshin në Belgjikë pas një turi dimror u përplas me hyrjen e një tuneli ditën e martë. Të afërmit e viktimave më vonë fluturuan për në Zvicër, për të marrë vesh mbi fatin e fëmijëve të tyre.

Nga aksidenti, i ndodhur gjatë natës në kantonin zviceran Valais, 24 fëmijë të tjerë mbetën të plagosur, disa prej të cilëve janë ende në gjendje kritike.

Ky ishte aksidenti më i rëndë rrugor në historinë e Zvicrës. Ministria e Jashtme belge deklaroi se shumica e fëmijëve ishin të moshës 12 vjeç. Dy autobusë të tjerë që udhëtonin bashkë me të aksidentuarin mbërritën të sigurtë në Belgjikë.

Fëmijët kishin kaluar një javë ski në Alpet zvicerane. Ata ishin nga shkolla në Lomel, në afërsi të kufirit me Holandën, dhe nga St Lambertus, në Heverle, në afërsi të Leuvenit.

Edhe pse shumica e viktimave janë belgë, autoritetet zvicerane deklaruan se mes tyre janë edhe shtatë holandezë. Ndërsa mes të plagosurve janë po ashtu tre holandezë, një polak dhe një gjerman.

Zi kombëtare në Belgjikë

Belgët po mbajnë zi për vdekjen e 28 personave, 22 prej të cilëve fëmijë, pas aksidentit në Zvicër. Autobuzi me 52 pasagjerë nga zonat e Lomelit dhe Heverli, po kthehej në Belgjikë pas një udhëtimi në Alpet e Zvicrës, kur u përplas me muret e një tuneli.

Kryeministri belg Elio di Rupo e cilësoi këtë një ditë tragjike për të gjithë vendin. “Jemi të gjithë të shokuar. Mbreti, mbretëresha, ministri i Mbrojtjes dhe unë jemi takuar me familjet në aeroportin e Melsbroekut, për t’u shprehur mbështetjen tonë”, deklaroi Di Rupo.

“Duke iu referuar shkallës dhe karakterit të veçantë të kësaj drame, si dhe emocioneve që ajo shkakton, qeveria ka vendosur të organizojë Ditën Kombëtare të Zisë”, shpjegoi kryeministri, pa dhënë detaje të tjera.

Aksidenti ndodhi pak pas orës 21.00 të së martës në afërsi të Sierre, të kantonit Valeze, pranë kufirit me Italinë. Pjesa më e madhe e fëmijëve ishin të moshës 12 vjeç. Shefi i policisë së Valezës, Kristian Varone e përshkroi vendgjarjen si një skenë lufte.

Për operacionin e shpëtimit, gjatë natës u përfshinë 200 persona, 12 autoambulanca dhe 8 helikopterë për të shpërngulur të plagosurit. Ende nuk është zbardhur shkaku i këtij aksidenti, por në shumë faqe interneti belge apo zvicerane thuhet se shoferin e kishte zënë gjumi.

Të paktën 24 fëmijë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, të cilët u shtruan në spitalet e Bernës dhe Lozanës. Të dy shoferët e autobuzit humbën jetën në këtë aksident, i cili është filmuar nga telekamerat që mbikëqyrnin tunelin.

Autobuzi ishte një prodhim i ri dhe i përkiste kompanisë “Top Tours”. Sipas ministrit belg të Transportit, ajo ka një reputacion shumë të mirë. Tuneli me dy korsi u inagurua në vitin 1999. I gjatë 2.5 km, ai përshkohet çdo ditë nga 15 mijë automjete dhe kufiri i shpejtësisë së lejuar është 100 km në orë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›