E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, humbë jetën 58-vjeçari

Miriq Jovica, 58-vjeç nga Zveqani ka humbur jetën në një aksident trafiku që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00, në rrugën lokale Zherovnic - Zveqan, përkatësisht në rrugën e fshatit Dolan, ku ishin të përfshirë tri automjete civile.

Toger Besim Hoti, zëdhënës rajonal i Policisë në Mitrovicë, ka bërë të ditur se aksidenti besohet të ketë qenë shkaktuar nga viktima si pasojë e moskujdesit dhe mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.

Në bazë të raporteve preliminare nga vendi i ngjarjes të hetuesve policor të trafikut rajonal të Mitrovicës, mësohet se automjeti “Opell Astra” i cili qarkullonte nga drejtimi i rrugës lokale të fshatit Zherovnicë në drejtim të Zveqanit, ka dështuar të mbaj kontrollin mbi veturën e tij, pasi me shpejtësi ka goditur dy automjete të parkuara në anën e djathtë të rrugës në fshatin Dolan.

Ngasësi i veturës “Opell Astra”, viktima e këtij aksidenti, Miriq Jovica (1954), i përkatësisë etnike serbe, me lëndime të rënda trupore është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, ndërsa pak qastë më vonë është konfirmuar pa shenja jete.

Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, i cili është informuar lidhur me rastin, ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të i dorëzohet familjarëve të tij, pas përshkrimit sipërfaqësor të bërë nga mjeku kujdestar i cili ka konfirmuar vdekjen e viktimës.

Hetuesit policor të njësisë së trafikut rajonal në Mitrovicë, janë duke zhvilluar hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të krijuara në këtë aksident.

Sipas të dhënave të policisë rrugore për rajonin e Mitrovicës, gjatë javë së kaluar, njësia e trafikut, ka regjistruar gjithsej, 19 aksidente, 9 prej të cilave janë me dëme materiale, 10 tjera me të lënduar.

Gjithsej 19 persona kanë pësuar lëndime nga më të ndryshmet, prej atyre të lehta deri tek më të rënda ndërsa një person ka humbur jetën si pasoj e aksidentit./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›