E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti i Trebickes, Makina ne gjendje te rregullt

Korce- Ekspertet amerikane te Byrose Federale te Investigimit, FBI dhe ai i policise shqiptare, arrijne ne konkluzionin se makina e biznesmenit Kosta Trebicka eshte ne gjendje te rregullt teknike dhe xhenerike. Automjeti tip fuoristrade "Nissan Patrol", me ngjyre te kuqe dhe targa TR8843J, me te cilin viktima udhetoi per gjueti ne zonen malore midis Voskopojes dhe Lekasit te premten e javes se shkuar, i eshte nenshtruar diten e djeshme nje ekspertize auto-teknike per tre ore ne ambientet e drejtorise se policise Korce. Por gjate oreve te paradites, para se te nisnin keqyrjen e mjetit, eksperti i FBI-se udhetoi drejt "Kullave te Gjergjevices" per te pare vendngjarjen dhe rivleresuar tre piketat e vendosura ne zonen e rrethuar me shirita, nese behej fjale per nje aksident rrugor. Gjate ekspertizes jane kryer filmime, fotografime, prova teknike, ndersa nuk u dha nje deklarate zyrtare per perfundimet. Lajmin per konkluzionet e bene me dije per gazeten "KJ", burime brenda grupit hetimor.

Keqyrja

Nje keqyrje fizike e imtesishme e automjetit u krye nga te dy palet dhe secila prej tyre mbajti te dokumentuar te dhenat. Ne garazhin ku eshte mbajtur automjeti gjate ketyre diteve te pas ngjarjes tragjike, jane kryer edhe matje te shumta, kontrolle te pjeseve te makines dhe te vendeve ku ajo ka pasur shenja demtimesh. Jane bere gjithashtu fotografime dhe filmime ne funksion te hetimit qe ka ndermarre, si policia dhe prokuroria shqiptare, ashtu edhe pala amerikane. Kontrolli auto-teknik dhe verifikimi i automjetit me gjurmet qe mbart nga vendi i ngjarjes kane vazhduar paralelisht dhe ne te njejten kohe. Ne perfundim te ketyre verifikimeve, eshte vendosur qe te behet edhe nje prove ne levizje e automjetit. Makina e Kosta Trebickes u nxor nga garazhi dhe me te jane kryer dy prova ne levizje, ne nje distance jo me te gjate se 100 metra dhe me nje lloj pjerresie te rruges ne ambientet e brendshme te Drejtorise se Policise se Korces. Me pas automjeti u mbyll serish ne garazh, ndersa ekspertet dhe personat qe moren pjese ne kete kontroll u perqendruan ne hartimin e procesverbaleve dhe te firmosje se tyre me konkluzionet e arritura.

Ekspertiza

Nje ekspert i specializuar nga Virxhinia e SHBA-se, se bashku me nje koleg tjeter, qe pak dite me pare kishte kryer verifikimet e tij ne vendngjarje dhe pati takim me Kryeprokuroren Ina Rama, kane qene pjesetaret e vetem te hetimit amerikan per kontrollin auto-teknik. Burime prane grupit hetimor thane se jane kryer dy ekspertime auto-teknike te automjetit, si nga perfaqesuesit shqiptare, ashtu edhe nga ekspertet amerikane. Sipas te dhenave ende te rezervuara, pas kryerjes se ketij kontrolli auto-teknik ka rezultuar se automjeti me te cilin udhetonte Kosta Trebicka ka rezultuar i rregullt per sa i perket anes teknike dhe te pjeseve xhenerike te tij. Sipas te dhenave, makina "Nissan Patrol" nuk rezulton me demtime teknike apo te pjeseve te tjera qe te perforcojne provat per nje aksident.

Amerikanet, ekspertim edhe ne vendngjarje

Me pare se te kryhej ky ekspertim i shumepritur per ecurine e metejshme te hetimeve mbi ngjarjen dhe sqarimin e shkaqeve te vdekjes se biznesmenit Kosta Trebicka, si dy ekspertet amerikane edhe pjesetaret e ngushte te grupit hetimor shqiptar, kane zhvilluar paraditen e djeshme edhe nje keqyrje te shpejte te vendit. Nje automjet me targa diplomatike te Ambasades se SHBA-se ne Tirane, eshte shoqeruar ne vendin e ngjarjes nga dy makina te titullareve te Prokurorise dhe policise se Korces. Vendi i ngjarjes, edhe nje jave pas vdekjes se Kosta Trebickes, ka vazhduar te qendroje i rrethuar me shirita, dhe i piketuar ne tre pozicione te tij me flamuj te vegjel qe tregonin se ku ishin pikat kryesore per hetim ne zbardhjen e rrethanave te ngjarjes. Policia dhe Prokuroria nuk dhane asnje deklarate zyrtare diten e djeshme per konkluzionet e ekspertimit auto-teknik dhe te procesverbaleve qe jane pergatitur, si nga pala amerikane edhe ajo shqiptare, mbi kete faze te rendesishme te hetimit te ngjarjes.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›