E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, përfshihet edhe djali i Gramoz Ruçit

Vendi i ngjarjes, te kryqezimi i Rruges se Elbasanit, ku ndodhi aksidenti

Tirane/ Plagosen dy vajza, njëra rëndë. Policia: Fajtore dy mjetet, djali i deputetit me shpejtësi të lartë. BMW X6 e Ledio Ruçit përplaset me Mini Cuperin, tre të plagosur

Ngjarja ka ndodhur në dalje të kryqëzimit kryesor tek Ura e Lanës në rrugën e Elbasanit, ku një automjet i vogël Mini Cuper është përplasur me makinën BMVV X6, ngjyrë e bardhë, me targa të huaja, që drejtohej nga shtetasi Ledio Ruçi. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur tre personat që ndodheshin në automjetin Mini Cuper, ndërkohë që drejtuesi i mjetit BMVV X6 nuk ka pësuar lëndime. Policia Rrugore, e cila mori njoftim për ngjarjen, mbërriti brenda pak minutave në vendin ku ndodhi aksidenti. Nga verifikimet paraprake u mësua se shkak i ngjarjes ka qenë lëvizja tej normave të lejuara të shpejtësisë nga të dy mjetet. Forcat e rendit, të cilat mbërritën në vendin e ngjarjes, u kanë dhënë ndihmën e parë personave të plagosur. Vajza me inicialet B.P., 28 vjeçe, mësohet se është në gjendje të rëndë për jetën, pasi ndodhej në krahun e Mini Cuper-it, ku ndodhi edhe përplasja me automjetin BMW X6, të drejtuar nga shtetasi Ledio Ruçi. Të plagosur në ngjarje kanë mbetur edhe vajza me inicialet B.R. dhe djali me inicialet E.C., i cili drejtonte mjetin Mini Cuper. Policia tha se veç vajzës që ndodhej në gjendje të rëndë, pasi ka marrë plagë në fytyrë, dy personat tjerë që ndodheshin në Mini Cuper nuk kishin lëndime të mëdha. Djali që drejtonte Mini Cuperin është shoqëruar në polici në lidhje me ngjarjen, ndërsa vajza tjetër është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak për ndihmë mjekësore. Djali i deputetit Gramoz Ruçi është marrë në pyetje për ngjarjen për më tepër se 40 minuta. Nga ana tjetër, ekspertët e Policisë në vendin e ngjarjes kanë bërë planvendosjen e makinave të përfshira në aksident, bazuar në matjet e kryera në dalje të kryqëzimit ku ndodhi ngjarja. Sipas skemës së Policisë për aksidentin, mjeti Mini Cuper ka hyrë në kryqëzim në një moment kur semafori ka qenë ende i ndezur, ndërkohë që është përplasur në pjesën e përparme me automjetin tip BMVV X6, që drejtohej nga shtetasi Ledio Ruçi. Makinat kanë kryer më pas lëvizje të çrregullt. Për pasojë mjeti i Ledio Ruccit i ka prerë rrugën Mini Cuper-it, duke kaluar para tij me drejtim tërthorë dhe duke përfunduar në trotuar në anën tjetër të rrugës. Policia tha se të dy mjetet kanë qenë me shpejtësi të madhe, tej normave të lejuara për aksin ku ndodheshin dhe për më tepër, në një kryqëzim të ndërlikuar në situatë trafiku për shkak të senseve të lëvizjes. Burimet zyrtare nga Policia në vendin e ngjarjes kanë thënë mbrëmë se të dy palët e përfshira në aksident kanë qenë me faj për shkak se nëse Mini Cuperi ka hyrë me të kuqe në kryqëzim, automjeti BMVV X6, i drejtuar nga Ledio Ruçi, ka qenë me një shpejtësi shumë të lartë, çka e ka bërë të pamundur frenimin efektiv apo manovrimin për shmangien e aksidentit.

Precedenti i Ledio Ruçit
Ledio Ruçi, djali i deputetit të PS-së Gramoz Ruçi, ka një precedent tjetër në një plagosje me armë në Tiranë, ngjarje për të cilën në vitin 2005 është shpallur i pafajshëm. Më 1 shkurt të atij viti, Ledio Ruçi u akuzua se plagosi me armë shtetasin Artur Ceka. Sherri i ndodhur në pub Kahlua kishte ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku Artur Ceka, një i ri nga Laçi, ishte qëlluar me një plumb pistolete, siç u tha asokohe nga Policia e Prokuroria, prej Ledio Ruçit, i cili u plagos lehtë dhe vetë. Gjykata e Tiranës, po atë vit, e deklaroi të pafajshëm Ledio Ruçin, me argumentin se arma e ngjarjes nuk ishte gjetur, ndërkohë që Prokuroria e kishte akuzuar atë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje dhe kishte kërkuar dënim me 50 mijë lekë gjobë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›