Aksidenti, pranga efektivit të burgjeve
POGRADEC - Policia ka vënë në pranga efektivin e drejtorisë së burgjeve në Drejtorinë e Burgjeve në Korçë, i akuzuar për "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor". Shkak për prangosjen e Klodian Dumanit ishte një aksident i ndodhur mëngjesin e së enjtes në aksin rrugor Pogradec-Petrushë, teksa 26-vjeçari i cili udhëtonte me mjetin e tij me targë BZ 450775, si pasojë e shpejtësisë së madhe ka humbur kontrollin e automjetit. Për rrjedhojë, ai është përplasur me mjetin me targa KO 8082 B me drejtues Elton Zoton, 26 vjeç, banor i Korçës. Po kështu janë përplasur shtetasit Ledion Selimllari, Sintja Çoku, Anxhela Çoku dhe Floresha Zoto.
Të gjithë shtetasit që ndodheshin në automjetin e drejtuar nga Zoto vijojnë të ndodhen në spital, por jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve. Për këtë aksident, policia prangosi pikërisht 26-vjeçarin Dumani, i konsideruar si shkaktar i tij. Po hetohet në gjendje të lirë po për "shkelje të rregullave të qarkullimit" 27-vjeçari Arben Biba, banor i fshatit Velçan të Pogradecit, pasi në aksin Pogradec-Korçë, në fshatin Petrushë ka aksidentuar Vasfi Kromollarin. 60-vjeçari, banor i fshatit Vërdovë, i cili ishte duke lëvizur në këmbë, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.