Të akuzuar për Durrës- Kukës, të pafajshëm pesë zyrtarë
Prokuroria kërkoi në pretencën e saj 10 milionë lekë të reja gjobë për zyrtarët e Transporteve, gjykata i shpall të pafajshë
Funksionarët e Transporteve, akuzoheshin se favorizuan një subjekt ndërtues në një prej loteve të rrugës
TIRANË- Pesë zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve pranë Ministrisë së Transporteve, të akuzuar se favorizuan një firmë ndërtuese duke e shpallur fituese në tenderin e ndërtimit të njërit prej lotëve të rrugës Kukës- Morinë si pjesë e autostradës Durrës-Kukës- Morinë, u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet.
Treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, të cilët pasi shqyrtuan dosjen penale më numër 358 në 13 seanca gjyqësore gjithsej, ku administruan një sërë provash materiale, dëgjuan konkluzionet e prokurorisë dhe pretendimet e mbrojtjes vendosen të deklarojnë të pafajshëm pesë zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
Sipas dispozitivit të vendimit, pesë zyrtarët e pandehur: Mimoza Prushi, Natasha Saliaj, Niko Mihali, Petraq Duka dhe Skënder Cota, të cilët janë hetuar e gjykuar në gjendje të lirë, janë deklaruar të pafajshëm për akuzën e ngritur nga njësia e task-forcës së luftës kundër krimit ekonomik, atë të "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike" në bashkëpunim. Ky vendim i togave të zeza, sipas burimeve zyrtare pranë institucionit të akuzës, do të apelohet brenda pak ditëve në Gjykatën e Apelit.
Gjithashtu, mësohet se vetëm pak ditë më parë, prokurori i çështjes në leximin e konkluzioneve përfundimtare, ka kërkuar nga togat e zeza deklarimin fajtor të pesë të pandehurve Prushi, Saliaj, Mihali, Duka dhe Cota, për kryerjen e veprës penale të "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike" në bashkëpunim.
Për kryerjen e kësaj vepre penale, prokuroria kërkoi dënimin e tyre me nga 10 milionë lekë secilin, shumë kjo e për afërt me dëmin e shkaktuar nga "favorizimi" që pesë zyrtarët i kanë bërë një firme private nga Kosova.
Sipas akuzës, pesë të pandehurit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për ndërtimin e lotëve të segmenteve të rrugës Kukës-Morinë, kanë favorizuar njërën nga dy kompanitë e ndërtimit nga Kosova që kanë marrë pjesë në tenderim.
"Të dy këto firma, ishin nga Kosova dhe kishin dorëzuar të njëjtat dokumente që ishin të nevojshme, me shifra të ndryshme, por, të pa legalizuara në Shqipëri në mungesë të institucioneve të qeverisë së Kosovës.
Njëra u skualifikua edhe pse kishte shumën më të vogël të ofertës, me arsyen e mos plotësimit të dokumenteve për shkak të mungesës së legalizimit të tyre. Firma që kishte edhe shifrën më të madhe, u shpall fituese edhe pse ishte me të njëjtat dokumente që kishte firma fituese",-thuhet nga konkluzionet e prokurorisë.
Mësohet gjithashtu, se kjo shkelje është evidentuar edhe nga inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kallëzimi i të cilëve ka qenë edhe indicja që prokuroria ka hetuar pesë zyrtarët e Ministrisë së Transporteve. Sipas raportit të KLSH-së, shuma më e lartë e dëmit të shkaktuar nga të pandehurit, rezulton të jetë shkaktuar në procedurat e prokurimit publik për ndërtimin e rrugës Kukës-Morinë, loti 1 (trase km. 0-5,85).
Eshtë konstatuar se fitues nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave është shpallur njëri nga dy subjektet kosovare. Por, subjekti tjetër, që kishte paraqitur një ofertë më të leverdisshme për shtetin lidhur me këtë garë publike, ishte skualifikuar në mënyrë të padrejtë.
Nga diferenca midis vlerës më të lartë të fituesit dhe asaj më të ulët të kompanisë së sipërpërmendur, shteti ka humbur plot 460.000 dollarë. Kontrolli i KLSH-së, mësohet se është kryer në Ministrinë e Transporteve për periudhën e punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve nga data 1 korrik 2005 deri më 31 tetor të vitit 2006.