Aksidentohet i mituri, luante pranë shtëpisë
Kuçovë
Ka qenë duke dalë nga një dyqan pranë banesës së tij, kur një mjet me shpejtësi e ka fluturuar disa metra larg. Vogëlushi 4-vjeçar, nga lagjja 1 Maji në Kuçovë, me inicialet L.L, ndërsa ka dalë nga banesa është drejtuar te një dyqan, dhe pasi ka blerë një pije freskuese, ka dalë nga dyqani kur është goditur nga një automjet. Drejtuesi i mjetit tip Golf është larguar por ka qenë shitësi ai që ka dalë me shpejtësi nga dyqani, duke thërritur për ndihmë. Vogëlushi u gjet i plasur përtokë i gjakosur dhe në gjendje tepër të rëndë. Ngjarja ndodhi dje pasdite, ndërsa kalimtarët kanë marrë fëmijën dhe e kanë ndihmuar, duke e çuar në Spitalin e Kuçovës dhe më pas drejt në Spitalit të Beratit, ku dhe po merr mjekimet përkatëse. Sipas burimeve spitalore, mësohet se 4-vjeçari është në gjendje kritike për jetën, pasi ka marrë goditje në kokë dhe në shumë pjesë të trupit. Sipas mjekut kirurg të Beratit, Edi Gega, fëmija ka ardhur në gjendje shumë të rëndë dhe po bëhen të gjitha ndërhyrjet e mundshme për ta shpëtuar nga thonjtë e vdekjes, ndërkohë po bëhen përgatitjet për ta nisur në Tiranë për mjekime të mëtejshme.
Burime nga Policia e Kuçovës thanë se autori i këtij aksidenti është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim. Shpejtësia e mjeteve brenda zonave të banuara apo drejtues të alkoolizuar si dhe mungesa e sinjalistikës dhe moskontrolli i vazhdueshëm dhe mungesa e ndëshkimit janë disa nga shkaqet që kanë çuar në rritje numrin aksidenteve në Qarkun e Beratit.
Aksidentohet i mituri, luante pranë shtëpisë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email