E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fqinjët plagosen me thika pas sherrit për mbeturinat

Gazeta Shqip

Korçë

Tre të plagosur, midis të cilëve dy vëllezër. Shpallen në kërkim tre autorët

policia korceTre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sherri banal në qytetin e Korçës. Dy vëllezër, banorë të lagjes 8 në qytetin e Korçës, dhe konkretisht Ardian Rushiti, 43 vjeç, dhe Arben Rushiti, 39 vjeç, janë plagosur nga përplasja dhe sherri midis një grupi të madh personash, ku ka mbetur i plagosur edhe 45-vjeçari Shpëtim Gjeloshani, po nga qyteti i Korçës. Policia sqaroi se për këtë ngjarje ka shpallur në kërkim shtetasit Edmond Merdiku, 28 vjeç, Ardian Merdiku, 40 vjeç, si dhe një person të tretë, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur. Të tre këta persona, të shpallur në kërkim nga policia, kanë arritur të fshihen për të humbur gjurmët e vendndodhjes. Ata akuzohen për plagosje të rëndë dhe të lehtë të kryera me dashje. Sipas të dhënave, ngjarja ka zënë fill nga motive banale mes dy palëve që kishin mosmarrëveshje të hershme midis tyre dhe shkak i grindjes është bërë hedhja e mbeturinave në oborrin para pallatit ku banojnë. Vëllezërit Merdiku fillimisht janë konfliktuar dhe qëlluar me 45-vjeçarin Shpëtim Gjeloshani. Në grindje e sipër, për të ndarë të dy palët që filluan të përdorin jo vetëm grushtet por edhe armë të ftohta, kanë ndërhyrë vëllezërit Rushiti, por dyshohet se qëndrimi i këtyre të fundit në mbrojtje të një fqinji të tyre ka ndezur edhe më shumë gjakrat. Burime pranë policisë thanë se dy vëllezërit Rushiti janë plagosur me thikë, pasi nga dy vëllezërit e tjerë me mbiemrin Merdiku është kujtuar se do ti vinin në mbrojtje kundërshtarit të tyre Shpëtim Gjeloshani. Policia sqaroi se më i dëmtuar nga goditja me thikë ka mbetur 43- vjeçari Ardian Rushiti, ndërsa vëllai i tij, i qëlluar gjithashtu me thikë, ka marrë plagë më të lehta. I dëmtuar dhe me plagë të lehta ka dalë nga ky sherr i përgjakshëm edhe fqinji i tyre Shpëtim Gjeloshani, ndërsa dy vëllezërit që kryen këtë plagosje si dhe një i tretë që doli në mbështetje të tyre, pasi lanë të plagosur tre vetë kanë shpejtuar të largohen për tu fshehur. Edhe një ditë pas kësaj ngjarjeje, policia lokale e Korçës nuk kishte arritur të ndalonte ndonjë prej autorëve të plagosjes së trefishtë. Mësohet se tre të plagosurit me thika janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit, ku edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale, më në rrezik për jetën është 43-vjeçari Ardian Rushiti.

 

Fqinjët plagosen me thika pas sherrit për mbeturinat burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›