Policia dhe dëshmitarët fshehën krimin
Vrasja aksidentale
Familjarët e Ervin Merdinit: Jemi të shokuar. Na thanë se ra nga biçikleta
Silvana Muça
Jemi të tronditur nga ajo që ka ngjarë. Ekspertiza mjekoligjore, doli në konkluzionin se Ervini është vrarë. Të gjithë menduam që ai kishte gjetur vdekjen aksidentalisht dhe përgjigjja që morëm prej ekspertëve na ka tronditur. Prindërit e tij janë shokuar dhe situata në banesën e tyre është mjaft e tensionuar. Katër ditë me radhë, ne dinim që Ervini kishte gjetur vdekjen aksidentalisht, prej rënies nga biçikleta. Askush nuk na tregoi dhe nuk na tha që ai ishte vrarë. Vrasja u fsheh nga policia edhe nga banorët, që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen. Nëna dhe baba i tij, dinin që Ervini vdiq prej rënies nga biçikleta. Kjo që doli tani, është tragjike. Këto janë të vetmet fjalë që të afërmit e 27-vjeçarit, Ervin Merdini, përsërisnin gjatë gjithë kohës. Ndonëse ishin të hidhëruar për ndarjen nga jeta të kushëririt, ideja që i riu kishte gjetur vdekjen gjatë një aksidenti, i qetësonte disi dhe nuk provokonte urrejtje. Fakti që ai është vrarë nga dikush, i ka irrituar së tepërmi dhe kjo është e pafalshme për ata.
Vrasja aksidentale
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e 29 prillit, të këtij viti, në rrugën Jashar Erebara në Tiranë. Burime nga policia bëjnë me dije se i ndjeri para disa kohësh kishte kaluar në gjendje depresive. Thuhet se ai merrte medikamente, për problemet e shëndetit mendor. Po sipas të njëjtave burime, i riu pavarësisht se kurohej, gjithmonë shkaktonte përplasje me banorët e zonës. Në mënyrë sistematike, Merdini përleshej me këdo që e shqetësonte, apo pretendonte ai se e shqetësonte. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Nik Llakajn, i cili është konfliktuar me 27-vjeçarin 5 ditë para vrasjes. Motivi i sherrit ka qenë tepër banal. Pasditen e 29 prillit, ata janë ndeshur sërish në rrugë, ku viktima ka qenë duke lëvizur me biçikletë. Zënka mes palëve është rigjeneruar sërish, duke degjeneruar deri në vrasjen e 27-vjeçarit. Burimet thonë se fillimisht kundërshtarët kanë shkëmbyer fjalë fyese me njëri-tjetrin. Në gjaknxehtësi e sipër, Llakaj e ka qëlluar me thikë, direkt në zemër, duke i çarë aortën. Pas kësaj autori i dyshuar i krimit, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke e lënë viktimën të varur në biçikletë. Menjëherë pasi vrasësi është larguar, pronari i një servisi aty pranë, ka shkuar tek i plagosuri, për ti dhënë ndihmën e parë. Ai e ka futur të riun në makinë, për ta dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak. Ndonëse janë bërë përpjekjet maksimale, për ti shpëtuar jetën, ka qenë e kotë, sepse goditja e shkaktuar nga thika ka qenë e fortë. I ndjeri ka vdekur rrugës për në spital, prej plagës së marrë në zemër. Pas kësaj trupi i viktimës u dërguar në morg, për tiu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta policore, të cilët nisën punën për zbardhjen e krimit.
Ekspertiza mjekoligjore
Nga konkluzionet paraprake, u tha se ai kishte gjetur vdekjen aksidentalisht, gjatë manovrave që bënte me biçikletë, në rrugicat e lagjes. Piruni që ndodhet në timonin e biçikletës, u dyshua se gjatë rrëzimit, i ishte ngulur në zemër. Madje, te biçikleta janë gjetur gjurmë gjaku të cilat i përkisnin Merdinit, provë kjo që forconte pistën e vdekjes aksidentale. Si pasojë e kësaj, policia nuk e mori asnjëherë në pyetje Nik Llakajn, i cili jetonte në të njëjtën zonë me viktimën. Dëshmia e banorëve të zonës, rreth konflikteve që ka pasur i ndjeri ditët e fundit dhe dalja e ekspertizës, katër ditë pas ngjarjes dolën në përfundimin se ngjarja nuk ishte aksidentale, por vrasje. Mjekët ligjorë u shprehen se plaga vdekjeprurëse ishte bërë nga një mjet i mprehtë në të dyja anët. Llakaj u arrestua vetëm në flagrancë, pas mbledhjes së provave, të cilat e përfshinin në vrasjen e 27-vjeçarit. Gjithsesi, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Policia dhe dëshmitarët fshehën krimin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email