Aksion për çlirimin e Pyllit të Sodës nga ndërtimet pa leje, Gjika: Do vijojë
Vlorë- Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Vlorë ka vijuar edhe ditën e sotme dhe po drejtohet nga vetë kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika.
Inspektorati i policisë bashkiake të qytetit të Vlorës njofton se po vijojnë prishjen e ndërtimeve pa leje kryesisht në zonën e Plazhit të Vjetër, të cilat janë ngritur kryesisht gjatë kësaj periudhe.
Vetëm këtë të mërkurë, në këtë zonë janë prishur 20 ndërtime pa leje. Gjithashtu është ngritur një grup pune që bën verifikimin e sa ndërtimeve të tjera do të jenë objektiv i prishjes.
Kreu i bashkisë së qytetit bregdetar Shpëtim Gjika u shpreh: “Operacioni për ndërtimet që prishin imazhin e vijës bregdetare do të vazhdojë. Do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje dhe do të rishikohen lejet që bien ndesh me planin urbanistik,- u shpreh ai.
Gjithashtu Gjika i bëri thirrje drejtorisë së Aluizmit që të ndalë proceset e legalizimit për të gjitha objektet që së fundmi u vetëdeklaruan në zyrat e shtetit.
Fadromat nisën aksionin mëngjesin e sotëm nga zona e Petrolifierës deri në ish-kampin e pionierëve në Plazhin e Vjetër. Gjatë aksionit u prishën disa lokale, gabina plazhi, bar-restorante si edhe u hoqën të gjitha çadrat e vendosura pa leje. Këto objekte ishin ndërtuar duke shkatërruar Pyllin e Sodës dhe duke prerë pishat e tij.