E Martë, 3 Nëntor 2026

Aksionet ndaj shpërndarësve të lëndëve narkotike, Balla: Po godasim me rrezikshmëri të lartë

 Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas goditjes së kultivuesve dhe shpërndarësve të lëndëve narkotike, ku u ndaluan dhe proceduan 19 shtetas në disa qytete të vendit. Ndërsa u sekuestruan sasi lënde narkotike dhe automjete që përdoreshin në veprimtari kriminale.

“Goditja e kultivuesve dhe shpërndarësve të lëndëve narkotike vijon çdo ditë, me qëllimin e mbrojtjes së shëndetit të të rinjve dhe çdo qytetari tjetër nga rreziku që sjell përdorimi i tyre. #PaketaeSigurisë në shkolla është e lidhur ngushtësisht me operacionin e Policisë së Shtetit “Tempulli”, duke synuar pastrimin e perimetrit të sigurisë së shkollave nga shpërndarësit e drogës.

Operacioni “Sundimi i ligjit” mbron komunitetet tona nga personat me rrezikshmëri të lartë, persona në kërkim nga drejtësia apo ata të cilët posedojnë armë pa leje”, shkruan ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Sipas Ballës, në aksionin e zhvilluar në disa qytete si Shkodër,  Tiranë, Elbasan, Përrenjas dhe Vlorë, “u arrestuan, ndaluan/proceduan 19 shtetas. U sekuestruan sasi lënde narkotike dhe automjete që përdoreshin në veprimtari kriminale”

Balla ka vlerësuar gjithashtu edhe bashkëpunimin mes “Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për hetimin e thelluar proaktiv që çoi tek kokat e grupit kriminal të përfshirë në kultivimin mijëra bimëve narkotike në Shkodër”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›