Aksioni Kombëtar i Pastrimit vijon në Lin, fokus te mbrojtja e mjedisit dhe turizmit

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj bëri të ditur se Aksioni Kombëtar i Pastrimit ka vijuar sot në fshatin Lin (Pogradec), një nga zonat më të veçanta turistike në brigjet e liqenit të Ohrit.
Ministri ndau në rrjete sociale momente nga ky aksion teksa theksoi se në këtë nismë u angazhuan qytetarë, vullnetarë, të rinj, institucione dhe përfaqësues të pushtetit vendor, me synimin për të rritur pastërtinë dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit.
“Sot, Aksioni Kombëtar i Pastrimit u ndal në një nga perlat më të veçanta të Shqipërisë, në Lin të Pogradecit, buzë liqenit të Ohrit. U bashkuam për t’i dhënë këtij vendi atë që meriton: më shumë pastërti, më shumë kujdes, më shumë dashuri”, u shpreh Jaupaj.
Ai nënvizoi se Lini përfaqëson një vlerë të veçantë për trashëgiminë natyrore dhe kulturore, duke e cilësuar atë si një ndërthurje të historisë, natyrës, turizmit dhe identitetit vendas.
Sipas tij, mbrojtja e kësaj zone nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por një përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve, veçanërisht në prag të sezonit turistik.
Aksioni synon përmirësimin e standardeve të pastërtisë në destinacionet turistike, duke kontribuar për një Pogradec më të pastër dhe për një Shqipëri më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj.
/e.xh/a.f/r.e/