E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Aksioni i Pastrimit Kombëtar shtrihet në Divjakë dhe bregdetin e jugut

Tiranë, 24 prill /ATSH/ Aksioni i Pastrimit Kombëtar vijon të shtrihet në disa nga zonat më të rëndësishme natyrore dhe turistike të vendit, duke mobilizuar institucione, pushtetin vendor, vullnetarë dhe komunitetin lokal.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi se Divjaka përbën sot një shembull të modelit që synohet për Shqipërinë e së ardhmes, ku mbrojtja e natyrës dhe angazhimi qytetar ecin paralelisht.

“Në zemër të kësaj zone, nga laguna e Karavastasë deri në vijat bregdetare, janë ndërmarrë aksione konkrete pastrimi, me synimin për të garantuar një mjedis më të pastër dhe një sezon turistik cilësor”, tha ministri.

Sipas tij, çdo ndërhyrje në terren përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, për zhvillimin e turizmit dhe për imazhin e vendit.

Ndërkohë, aksioni është shtrirë edhe në jug të vendit, në Dhërmi dhe Drimadhë, ku janë ndërmarrë nisma të ngjashme me pjesëmarrje të gjerë të komunitetit. Plazhet më të pastra, sipas organizatorëve, nuk janë vetëm një objektiv sezonal, por një standard i qëndrueshëm që duhet të respektohet gjatë gjithë vitit.

Ministri theksoi se ky model bashkëpunimi, ndërgjegjësimi dhe veprimi konkret synon të shtrihet në të gjithë territorin, si pjesë e një vizioni për një Shqipëri më të pastër dhe më dinjitoze.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›