E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni për vulat, bashkëshortja akuzon: Policët e hodhën Selmanin nga ballkoni

SARANDË- Policia e Sarandës po përballet me një akuzë të re pas arrestimit të një ish-efektivit për falsifikim dokumentesh. Bashkëshortja e Selman Lumanit thotë se "im shoq nuk është hedhur nga ballkoni por kanë qenë policët ata që e kanë shtyrë, pasi ai nuk iu dha para".

Shtetësia Lulëzime Lumani, ka bërë edhe një kallëzim penal për dhunën e ushtruar gjatë aksionit të policisë së Sarandës në shtëpinë e saj për arrestimin e të shoqit. Sipas saj, dhuna e përdorur gjatë arrestimit ka qenë i qëllimte sepse policët e dinin se kundrejt shpërblimit mund ta linin të lirë. "Selmani ka kërkuar sqarime duke kërkuar të njihej me arsyet e hyrjes së trupave të shumta policore në banesë. Ai iu thoshte ish-kolegëve: Nuk kam para, nuk kam më para," tregon për 'Shekullin' bashkëshortja e ish-efektivit.

Madje ajo shton se vulat e falsifikuara janë inskenim i policisë, pasi në banesën e tyre s'ka pasur asgjë nga ato që janë publikuar nga policia. "Të gjitha këto materiale ose janë vendosur nga vetë policia dhe janë regjistruar si të Selman Lumanit dhe me këtë duan të justifikojnë dhunën e përdorur ndaj të ndaluarit", thotë ajo. Ndërsa shton se "s'kishte shanse që ai të hidhej kur ishte i rrethuar nga pese e më shumë policë dhe me pranga në duar".

I ndaluari Selman Lumani vazhdon të jetë i shtruar në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, pas dëmtimeve të mëdha që pësoi në tentativë për ti shpëtuar ndalimit, gjatë aksionit në banesën e tij. Të paktën kjo është deklarata zyrtare e policisë. Pritet që hetimet të hapen pas denoncimit të familjarëve për policët që morën pjesë në aksion.


Bazë falsifikimesh, vulat e shtetit 'në dorë' të ish-policit


dt. 23 gusht


SARANDE - Policia e Sarandës bllokoi sot 26 vula dhe një sërë dokumente të falsifikuara në banesën e një 55 vjeçari, ish- efektiv i policisë, i cili një ditë më parë në përpjekje për t'i shpëtuar një operacioni të uniformave blu u hodh me gjithë pranga nga ballkoni i katit të tretë të banesës së tij, duke pësuar faktura të rënda në trup.

Burime zyrtare të policisë lokale thanë se "në banesën e Selman Lumanit u gjendën 26 vulave të institucioneve të rëndësishme, mes të cilave vula e Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Arsimit, Zyrës Arsimore të Sarandës, bashkisë, komisariatit të policisë, Konsullatës Greke në Gjirokastër, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Greke, Ambasadës Shqiptare në Athinë, 9 vula të institucioneve të ndryshme të Greqisë etj".

Sipas të njëjtit burim, listës së gjatë të falsifikimeve i shtohen dhe 35 çertifikata, 3 vërtetime gjyqësore, si dhe 2 leje ndërtimi.

Mbrëmjen e kaluar, policia e Sarandës ndërmorri një kontroll në banesën e Lumanit, në lagjen nr.1 të qytetit, në bazë të informacioneve se ai dispononte vula të falsifikuara të institutucioneve të rëndësishme shtetërore. 55 vjeçari, sipas burimeve të policisë, ka treguar si vend ku mbante vulat ballkonin e banesës së tij, dhe kur ka shkuar atje së bashku me ekspertët e policisë u hodh duke rënë në asflat.

Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Sarandës, me fraktura të shumta në gjymtyrë e dëmtime në të gjitha pjesët e trupit, dhe më pas, gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e sotme u dërgua me helikopter në spitalin e Tiranës.


Ky është rasti i parë në qytetin e Sarandës, gjatë 12 viteve të fundit, që një shtetasi i gjendet një sasi e konsiderueshme vulash dhe dokumentesh të falsifikuara

Ish-efektivi hidhet nga ballkoni për ti shpëtuar policisë

ora 10:10


SARANDE - Një 55 vjeçar nga Saranda, ish-efektiv i policisë dhe aktualisht me profesion taksist, është hedhur nga ballkoni i katit të tretë të banesës së tij për t'i shpëtuar një operacioni të uniformave blu. Ai eshte transportuar ne spitalin ushtarak dhe eshte ne gjendje te rëndë për jetën.

Ngjarja ndodhi dje në mbrëmje, në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës, në pallatin prapa kishës së "Shën Harallambit" në këtë qytet. "Selman Lumani, 55 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë është kapur në befasi nga policia lokale që shkoi për një kontroll në banesën e tij në bazë të informacioneve se dispononte vula të falsifikuara të institucioneve të rëndësishme shtetërore", thanë burime të policisë. 55 vjeçari, sipas të njëjtit burim, ka treguar si vend ku mbante vulat, ballkonin e banesës së tij, dhe kur ka shkuar atje së bashku me ekspertët e policisë është hedhur duke rënë në asflat.

Ai është transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës, me fraktura të shumta në gjymtyrë e dëmtime në të gjitha pjesët e trupit, dhe më pas, gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e sotme, është dërguar me helikopter në spitalin e Tiranës.

Selman Lumani ishte prangosur dhe gjashtë vjet më parë, pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij u gjetën disa vula institucionesh shtetërore. Ai u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u provua veprimtaria e falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Ai ka shërbyer për disa vite, deri më 1997, si efektiv i komisariatit të policisë së rendit në Sarandë e më pas u lirua për shkak të reformës. Vitet e fundit, punonte si taksist në linjën Sarandë-Janinë. Ai është baba i një vajze dhe një djali, i cili paraqet probleme të shëndetit mendor, ndërkohë që bashkëshortja e tij është invalide.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›