Akt i rëndë politik i Ramës kundër shtetit dhe të ardhmes kombëtare
Uzurpatori i së majtës godet me top ndërkombëtarët dhe të gjithë zërat që kërkojnë kompromis dhe heqje të imunitetit të zyrtarëve të lartë. Pasi Brukseli pat deklaruar se me 6 gusht, pritet miratimi i nismës parlamentare, Edi Rama ka përdorur Gramoz Ruçin për të dhënë verdiktin: “Nuk u bindemi SHBA-së, nuk i bindemi Evropës, s’e miratojmë ligjin, edhe pse s’do ta marrim statusin e kandidatit në vjeshtë”. Opinioni publik ndihet i shokuar pas vendimit gjakftohtë e antikombëtar, të marrë pa asnjë konsultim me socialistët e thjeshtë, prej njeriut që ka vulën e PS-së
Partia Socialiste injoroi dje me gjakftohtësi apelin e ndërkombëtarëve për përmbushjen e reformave të integrimit, në kushtet e emergjencës kohore përballë testit të vjeshtës ku edhe pritet akordimi i statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Deklaratës së trojkës, ambasadorit të SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, ambasadorit të BE, Ettore Sequi dhe atij të OSBE-së, Eugen Wollfarth për heqjen e imunitetit gjatë seancës plenare të 6 gushtit, Partia Socialiste iu përgjigj duke ngritur zyrtarisht bllokadën kundër draftit i cili tashmë ka mbërritur në Parlament. Pak minuta pasi 3 ambasadorët i kërkuan forcave politike unifikimin e qëndrimeve të tyre “pro” kufizimit me ligj të imunitetit, Gramoz Ruçi nisi një letër nga grupi parlamentar socialist, fillimisht duke iu drejtuar trojkës së ambasadorëve dhe më pas edhe kryetares së Kuvendit. Ruçi tenton të bëjë një pseudo-sqarim rreth nenit 83 të Kushtetutës dhe rregullores së amenduar të Parlamentit, në tetor të vitit 1998 për ndryshimet Kushtetuese ku sipas tij gjen bazën e mjaftueshme për të kontestuar draftin e mazhorancës me qëllim shtyrjen e votimit të “imunitetit” (të parashikuar në 6 gusht), për një datë tjetër gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar.
Guri nën mëngë lidhet me kërkesën e hershme të Haxhi Pishmanit për ndryshimin e Kushtetutës, pas pendesës që lidhet me ndryshimet e 2008-ës, të cilat për ironi të fatit gjetën një konsensus të gjerë me rreth 126 vota “pro”. Pikërisht, ndryshimin e Kushtetutës vetëm për “imunitetin” Edi Rama e cilëson si një tjetër risk të humbur për mbijetesën e tij politike. Por cilat janë arsyet që PS kundërshton pa u menduar dy herë çdo nismë të mazhorancës në kuadër të përmbushjes së reformave të integrimit? Faktori parësor lidhet me doktrinën ideologjike të Partisë Socialiste dhe eksponentëve të saj të trashëguar nga nomenklatura komuniste. Gramoz Ruçi është një i tillë. Ministri i Sigurimit të Shtetit sigurisht që s’mund të tolerojë avancimin e Shqipërisë drejt perspektivës evropiane, përsa kohë amaneti i Enver Hoxhës është në çdo pusullë dhe shkresë që Edi Rama u shpërndan deputetëve të tij. Synimi i PS-së është që ta klasifikojë 2012-ën si një tjetër shans të humbur për statusin kandidat dhe kjo arrihet duke zvarritur reformat, ndër to edhe heqjen e imunitetit. Ndaj, nxjerrja e Gramoz Ruçit në rolin e kamikazit për të sulmuar përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së është një plan ogurzi, i mirë menduar, për të shpallur verdiktin e Enverit se, “s’na duhen ndërkombëtarët, bëjmë si dimë vetë; bëjmë çfarë duam vetë: poshtë imperializmi”. Kjo mendje-shkurtësi dhe vizion kriptokomunist i mbetur në të shkuarën e regjimit hoxhist, vazhdon të jetë në rolin e fantazmës djallëzore që komandon dhe udhëheq vendimmarrjen eunuke të lidershipit socialist. E konfirmuar është se, PS injoroi me gjakftohtësi apelin e ndërkombëtarëve për përmbushjen e reformave të integrimit, kur kanë mbetur vetëm pak muaj nga progres-raporti i KE-së, për vitin 2012, i cili në thelb kërkon reformat në këmbim të Statusit.