E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojka e ambasadorëve: Të hiqet imuniteti, deri me 6 gusht ka kohë me bollëk

17-07-2012 / Gazeta 55

Ambasadori amerikan Arvizu, si dhe kolegët e tij të BE e OSBE-së, Sequi e Volfart, i kanë përcjellë dje kreut të PS-së ultimatumin ndërkombëtar për miratimin e nismës për heqjen e imunitetit, pasi përndryshe, do të rrezikohej statusi i vendit kandidat, por edhe do të shfaqej si përgjegjëse e vetme, ajo forcë politike që s’do të ngrinte në parlament kartonat jeshilë 

Trojka e ambasadorëve i ka kërkuar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në mënyrë të drejtpërdrejtë, që opozita jo vetëm të bëhet pjesë e diskutimeve parlamentare për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, por t’i votojë ato në seancën plenare të 6 gushtit.
Në takimin me tre ambasadorëve në zyrën e kryesocialistit Rama, është nënvizuar fakti se klasa politike ka të gjithë kohën e nevojshme për të shqyrtuar draftet ligjore të paraqitura.
Ambasadorët janë shprehur se konsensusi politik i shfaqur në përmbylljen e reformës zgjedhore, duhet të vijojë edhe me reformat e tjera legjislative, siç janë edhe ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Sipas tyre, këto reforma do ta afronin më shumë Shqipërinë në udhën e saj të integrimit evropian.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth u shpreh gjatë prononcimit të tij për shtyp se gjatë takimit me Edi Ramën ishte folur për disa aspekte, ku në fokus ishte pikërisht heqja e imunitetit.
“Ne sot kemi folur për heqjen e imunitetit dhe mënyrës se si duhet të procedohet më tej. Çështja e heqjes së imunitetit vjen fill pas çështjes së rëndësishme të reformës zgjedhore që shpresojmë të përfundojë këtë javë. Heqja e imunitetit kur ka të bëjë me zyra të rëndësishme  si deputetët dhe gjyqtarët dhe prokurorët që i jep më shumë vlerë sistemit të garancive dhe sigurive të një vendi dhe janë çështje që duhen të trajtohen me kujdes. Të qenurit i nënshtruar ndaj Kushtetutës dhe ligjit është shumë e rëndësishme. Dënueshmëria për çështje që bien në kundërshtim me Kushtetutën duhet të ekzistojë. Çështja e imunitetit është me rëndësi për funksionimin e shtetit në vetvete dhe për këtë do të ketë diskutime të gjithanshme. Shfrytëzimi sa më i mirë i kohës është loja që duhet të zhvillohet”, tha ai.
Ndërkohë sipas ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi heqja e imunitetit klasifikohet si një çështjet vendimtare për progresin e vendit drejt aleancës evropiane.
“Heqja e imunitetit është me rëndësi vendimtare për procesin e saj për integrimin në BE. Në fakt po kaq e rëndësishme janë edhe reforma të tjera siç është edhe reforma parlamentare që është pjesë e një marrëveshje të arritur vitin e kaluar. Ne shpresojmë që me reformën parlamentare do të bëhet po aq progres sa edhe me heqjen e imunitetit. Marrëveshja për reformën zgjedhore ishte një hapi i mirë përpara dhe shpresojmë të ecet përpara edhe me dy çështjet e tjera. Ne shpresojmë që do të arrihet progres. Ne nuk po i kërkojmë politikanëve ta pëlqejnë njëri-tjetrin por ne po u kërkojmë atyre të punojnë me njëri-tjetrin”, vuri në dukje Ettore Sequi.
Gjithashtu dhe në deklaratën e ambasadorit Arvizu nuk mungoi apeli për miratimin e ligjit për heqjen e imunitetit.
Sipas tij, deri në 6 gusht palët kanë kohën e mjaftueshme për të arritur konsensusin. Njëkohësisht, në gjykimin e ambasadorit amerikan konsensusi është i domosdoshëm për miratimin e paketës së gjithanshme të reformave.
“Vota është me datë 6, me kohën shqiptare është një kohë e përjetshme, ka kohë mjaftueshëm për diskutime. Ashtu siç ndodh me çdo pjesë legjislacioni, nuk duhet të lëmë të përsosurën të jetë armike e së mirës”, shtoi Arvizu, i cili shprehu besimin se palët do të bëjnë një punë e mire për këtë çështje.
Një javë më parë Partia Demokratike konkretizoi nismën për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, përmes ndryshimit të Kushtetutës, duke e depozituar atë në Kuvend pak ditë më parë. Nisma e PD zhvesh nga imuniteti kryeministrin, ministrat, deputetët, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të gjithë gjyqtarët, Avokatin e Popullit dhe kryetarin e KLSH-së. Për këtë arsye PD-ja ftoi PS-në që t’i bashkohet kësaj nisme për heqjen e imuniteteve dhe ta miratojnë së bashku sa më shpejt për të përmbushur një nga detyrimet e procesit për integrimin evropian të Shqipërisë.
Nga ana tjetër kreu i PS-së, Edi Rama, është shprehur pro heqjes së imunitetit, por deklaroi se opozita nuk do të nxitohet për të miratuar ndryshimet në Kushtetutë. Më datën 20 korrik, Kuvendi merr në shqyrtim nismën e depozituar nga mazhoranca parlamentare për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, ndërsa më datën 6 gusht pritet votimi i këtyre ndryshimeve në seancë plenare

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›