E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra e Ruçit për imunitetin, Topalli: PS ta votojë më 6 gusht ligjin

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka reaguar në lidhje me letrën e publikuar në media nga kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi për ligjin për heqjen e imunitetit. Në një deklaratë për shtyp, kryeparlamentarja Topalli thekson se në zyrën e saj nuk ka mbërritur zyrtarisht asnjë letër nga Kryetari i grupit parlamentar të PS-së ndërsa thekson se letra e publikuar ne media të mos jetë një qëndrim zyrtar i Partisë Socialiste, pasi nëpërmjet saj kërkohet shtyrja e diskutimit për ndryshimin e Kushtetutes për heqjen e imuniteteve, në sesionin e ardhshëm.
 

Duke sjellë ne vemendje se heqja e imunitetit për zyrtaret e lartë dhe gjyqtarët është një nga 12 rekomandimet kyçe për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i bën thirrje Partisë Socialiste t`i bashkohet nismës së depozituar në Kuvend dhe në datën 6 gusht të votojnë unanimisht për heqjen e imuniteteve.
 

Duke theksuar se nisma për heqjen e imuniteteve është një projekt i hartuar nga misioni Euralius i Komisionit Europian dhe i PACA, projekti Antikorrupsion për Shqipërinë pranë Këshillit të Europës, Kryetarja e Kuvendit thekson se Parlamenti i Shqipërisë ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore për të futur në axhende këtë nismë për ndryshimin e Kushtetutës.

Zonja Topalli sjell në vemendje se, në Konferencen e Kryetareve të organizuar për këtë çështje, Partia Socialiste nuk ka shfaqur kundërshtime dhe ka kërkuar të njihet me projektin. Prej atij momenti, janë njoftuar deputetët dhe nisma është shpallur publikisht, duke repsktuar të gjitha kërkesat e Rregullores për këtë çështje, e cila është miratuar me konsensusin e të dyja palëve në vitin 2008 për të shmangur veprimet e nxituara.
 

Duke ftuar edhe një herë për bashkëpunim Partine Socialiste, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, thekson se shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur me justifikime. “Interesi i shqiptarëve është që heqja e imuniteteve të miratohet më datën 6 Gusht për t`i dhënë vendit shansin e merituar në ecjen përpara drejt integrimit europian me standardin e transparencës dhe barazisë para ligjit të politikanëve, zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve” përfundon deklarata e Topallit.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›