Akti i parafundit

Chelsea përgatitet për sulmet e Barcelonës të martën mbrëma, kur gjiganti katalan synon të rikuperohet nga dëshpërimi në La Liga, për të kaluar në finalen e tretë në Ligës së Kampionëve në katër sezonet e fundit.
Kampioni në fuqi u mposht 1-0 nga Chelsea javën e kaluar në Stamford Bridge në duelin e parë gjysmëfinal e më pas humbi 2-1 në shtëpi të shtunën nga Real Madridi, duke marrë një goditje të fuqishme e me gjasë edhe vendimtare në garë për titull në La Liga.
Chelsea do të shpresojë të shfrytëzojë traumën e Barcelonës dhe të hakmerret për eliminimin në të njëjtën fazë të garës tri vite më parë. Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka refuzuar të shtypë butonin e panikut pas humbjes nga Reali, por pranoi se sezoni i skuadrës së tij varet nga rezultati i përballjes me Chelsean.
“Do të shohim të martën nëse këto dy humbje kanë pasur ndikim. Dueli me Chelsean do të përcaktojë sezonin për ne”, deklaroi Guardiola i cili ka vërejtur se Chelsea pushoi tetë futbollistë titullarë në barazimin 0-0 me Arsenalin të shtunën dhe do të jetë më i freskët në Nou Camp.
“Ata kanë arritur të pushojmë disa futbollistë, kurse ne jo, por duhet të nisemi sërish. Nuk kam mbetur i dëshpëruar nga paraqitjet tona në këto dy humbje”, theksoi ai.
Chelsea kurrsesi nuk do të guxojë të humb përqendrimin pasi ishte dominuar me lojë në përballjen e parë. Barcelona pati 70 për qind të posedimit, goditi dy herë kornizën e portës dhe shpërdoroi shumë raste për shënim, derisa londinezët realizuan nëpërmjet Didier Drogbas në çastet e fundit të pjesës së parë, pas një kundërsulmi.
“Do të jetë një ndeshje me intensitet të lartë, me presion”. Ambicia e futbollistëve të mi vërehet në këso lloj ndeshjesh. Ju mund të shihni angazhimin dhe kualitetin e tyre. Ata duan ta tregojnë këtë dhe besoj se jemi duke e dëshmuar fuqinë e plotë”, deklaroi menaxheri i përkohshëm i Chelseas, Roberto di Matteo.
Fituesi i duelit Barcelona-Chelsea do të ndeshet në finale me fituesin e çiftit tjetër Real Madrid-Bayern Munich. Në këtë përballje, bavarezët kanë epërsi 2-1 nga ndeshja e parë, kurse vizitojnë Santiago Bernabeun të mërkurën.
Gjysmëfinale:
Barcelona-Chelsea 20:45