E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi i përulet Luftëtarit kryesues që në pjesën e parë

Nga Erseka, Kristi Lilo

Llogaritë e kësaj ndeshjeje janë mbyllur që në minutën e 30-të, kur Nora dy herë dhe Baci kanë siguruar fitoren e gjirokastritëve

 

Gramozi Luftëtari          0-3

Shënues: Nora 17, 30, Baci 28

Gramozi: Bello, Ismolli, E.Mydini, Peci (Cale 46), Kodra (Mete 46), Saliko (Mydini 77), Shupe, Musabelliu, Çelikja, Çela, Hysolli.

Trajner: I.Qirjako.

Luftëtari: Gërxholli, Devolli, Baci, Nino (Hithi 74), Sinani, Çaço (Braho 56), Lluka (Mersini 56), Starti, Ramadani, Raboshta, Nora. Trajner: N.Dede.

Gjyqtarë: B.Ziri, Sh.Ziri, E.Veseli (Fushë-Krujë)

Kartonë të verdhë: Çela, Baci

Dy gola të Norës dhe një i Bacit që në opjesën e parë kanë bërë që Gramozi të kapitullojë përballë Luftëtarit kryesues. Ishte një humbje e pritshme për ekipin vendës, që nuk ka mundur ti përballojë sulmet e njëpasnjëshme të gjirokastritëve. Këta të fundit e kanë zjgidhur shpejt situatën në favor të tyre, ndërsa Gramozi ka humbur një shans në fushën e vetë për të marrë pikë.

Duke parë edhe fitoret e rivalëve, Vlorës dhe Himarës, kolonjarët janë mjaft të rrezikuar. Djemtë e trajnerit Ilir Qirjako nuk kanë dhënë asgjë në fushë, duke gabuar shumë momente dhe miqtë e kanë pasur më të lehtë për të fituar.

Loja fillon e qetë dhe sinjali i parë vjen në minutën e 8-të, kur Luftëtari e shpërngul lojën në gjysmëfushën kolonjare. Raboshta gjuan bukur përballë portierit Bello, që përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Kolonjarët bëjnë zbritjen e parë drejt portës mikedhe Shupe nxjerr të lirë Çeliken, gjuajtja e të cilit është e gabuar. Sulmuesi kryesor i Luftëtarit, Nora, futet në zone, por gabon në gjuajtje.

Minuta e 17-të sjell golin e parë të Luftëtarit. Nora del përballë portierit kolonjar dhe tenton të shënojë me një parabël, topi përplaset në shtyllë dhe sulmuesi ndërhyn përsëri, duke e dërguar topin në rrjetë. Musabelliu gjuan drejt portës së Luftëtarit, por topi kalon pranë shtyllës. Nora kalon përsëri mbrojtjen kolonjare dhe përballë portierit godet shtyllën.

Më pas është Strati që vë në provë Bello, që pret. Goli i dytë vjen në minutën e 28-të, kur mbrojtësi Baci godet nga distanca dhe mposht Bellon. Miqtë çlirohen plotësisht, duke përfituar edhe nga gjendja jo e mirë e kolonjarëve. Në të 30-ën  Nora shënon edhe golin e tretë, duke mbyllur llogaritë e kësaj ndeshjeje.

Pas këtij goli gjirokastritët nuk shikojnë shumë drejt portës së Gramozit dhe e qarkullojnë topin në mesfushë. Kapiteni Shupe kërkon të shënojë, por gjuajtja e tij ndalet nga Gërxholli. Pjesa e dytë është tepër e qetë, edhe pse vendësit përpiqen të paktën për golin e nderit.  Ata nuk ia arrijnë qëllimit, pasi mbrojtja e Luftëtarit është në lartësinë e duhur, e drejtuar nga Devolli.

Cale gjuan fort nga rreth 30 metra dhe Gërxholli bën një pritje akrobatike. Nora del përballë portierit të Gramozit, por këtë radhë gabon. Saliko tenton të shënojë për kolonjarët, por gjen vetëm rrjetën e jashtme të portës. Gramozi ka dy mundësi të mira me Hysollin, që e vë në vështirësi portierin mik, po pa e mposhtur atë.

Minutat e fundit janë të qeta nga të dy ekipet dhe gjithçka është mbyllur 0-3. Loja ka qenë tepër korrekte dhe në fund kolonjarët e kanë duartrokitur ekipin kryesues. Takimin e kanë ndjekur nga afër dy kryebashkiakët, Ali Laho i Erskeës dhe Flamur Bime i Gjirokastrës. Një numër i madh tifoësh kishte ardhur në Ersekë edhe nga Gjirokastra. Kjo është fitorja e parë në fushën e Gramozit për Luftëtarin.

Trajnerët

Ilir Qirjako, trajner i Gramozit: Nuk u prononcua.

Nevil Dede, trajner i Luftëtarit: E kishim vlerësuar maksimalisht këtë takim dhe ia arritëm qëllimit në pjesën e pare, duke shënuar 3 gola dhe duke e pasur lojën në kontroll. Për pjesën e dytë jam pak i mërzitur, pasi pësoi rënie dhe impenjimi i lojtarëve ra shumë. Më vjen keq për Gramozin që është në këtë gjendje, por çdo ekip i di vetë hesapet e veta. Ne do ta vahzdojmë betejën tonë edhe në tri javët e mbetura për të kryesuar deri në fund, pavarësisht se çmund të bëjnë kundërshtarët.

Nora: Vërtetuam se jemi më të mirët

Autori i dy golave për Luftëtarin, Arlind Nora, pas ndeshjes u shpreh: Mendoj se e treguam edhe sot se jemi ekipi që e meritojmë vendin e parë. Kemi fituar në një fushë të vështirë si kjo e Ersekës, duke e administruar shumë mirë lojën. E kemi zgjidhur shumë shpejt ndeshjen, që në pjesën e parë. I uroj suksese Gramozit dhe në emër të ekipit dua ti falënderoj përzemërsisht kolonjarët për mikpritjen. Ata na kanë duartrokitur, edhe pse ekipi i tyre ka humbur.

 

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›