E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Turqia shtet mik i Kosova, falë punës së komunitetit turk

Popullata turke natyrshëm dhe në harmoni me interesat e veta dhe të shumicës së qytetarëve të Kosovës, ishte pjesë e proceseve historike që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ka thënë të hënën kryeministri Hashim Thaçi, në Ditën Memoriale të turqve të Kosovës, thuhet në një komunikatë të zyrës për informim të Kryeministrisë.

“Në të gjitha periudhat historike të Kosovës moderne komuniteti turk luajti rol pozitiv, duke ruajtur dhe kultivuar harmoninë, miqësinë, tolerancën dhe respektin me komunitetet tjera dhe popullatën shumicë të Kosovës”, tha kryeministri në ceremoninë e organizuar për këtë datë.

“Komuniteti turk dha kontribut në të gjitha fazat e tranzicionit, duke qenë pjesëmarrës aktiv në institucionet e pushtetit lokal, aty ku ishte më i madh në numër, por edhe në nivel të pushtetit qendror, duke dhënë kontribut në Kuvendin, në Qeveri dhe segmente tjera të shoqërisë sonë”.

“Përfaqësuesit e komunitetit turk janë pjesë e procesit të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran më 17 shkurt 2008. Komuniteti turk në Kosovë është shembull më i mirë i integrimit të tërësishëm në jetën institucionale të vendit tonë. Përfaqësues të komunitetit janë kudo: në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Policinë e Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese, në Universitet dhe institucione tjera”.

“Në Ditën e Komunitetit Turk të Kosovës, rikonfirmojmë qëndrimin e Qeverisës së Kosovës për thellimin e klimës politike dhe njerëzore që komunitetet e Kosovës të jenë autorë dhe aktorë të barabartë në realizimin e lirisë dhe të drejtave të tyre”.

“Zonja dhe zotërinj, kjo ecje historike e komunitetit turk me fatin e Kosovës ka bërë që shteti ynë i ri të ketë shtet mik Turqinë, një vend i rëndësishëm, që po zhvillohet dhe modernizohet me dinamizëm dhe vrull të lakmueshëm.Turqia ka luajtur rol të rëndësishëm në përkrahjen e luftës së drejtë të Kosovës në vitin 1998 1999, duke u bërë pjesë e fushatës së NATO-s që u kurorëzua me përfundimin e suksesshëm të luftës për çlirimin e Kosovës”, ka thënë pos tjerash kryeministri Thaçi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›