Akti, mjetet që slejohen në zgjedhje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton aktin që ndalon listat paralele dhe lexuesit e kartave të identitetit nga komisionerët në qendrën e votimit. Projekti u votua vetëm nga katër anëtarët e maxhorancës në këtë komision, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës kërkuan që ai të ishte një akt normativ dhe të merrte pesë vota.Në vendimin e miratuar në pikën 2 thuhet se gjatë procesit të votimit, anëtarët e QV-ve, në asnjë rast nuk mund të përdorin materiale, si: fletë votimi, procesverbale votimi, lista të zgjedhësve, të cilat nuk janë sipas nenit 100 të Kodit Zgjedhor, përveçse kur parashikohet ndryshe me vendim të KQZ-së. Në të njëjtën kohë, vendimi ndalon përdorimin në qendrat e votimit të regjistruesve audio/video, pajisjet që kontrollojnë apo regjistrojnë zgjedhësit, si dhe llambat me rreze ultravioletë. Gjatë shqyrtimit të aktit, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha se projekti erdhi për shkak të ngjarjeve që ndodhën në vitin 2009, por edhe deklaratave të deputetëve të partive ditët e fundit. Qëllimi i aktit është të disiplinojmë marrëdhënien gjatë ditës së votimit, në qendrën e votimit, të shmangim incidente si ato të zgjedhjeve të kaluara apo incidente të tjera që mund të krijohen, siç janë bërë prezente në media nga përfaqësues të forcave politike, tha Ristani. Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj, tha se këto rregulla të reja duhet të ishin shënuar në udhëzimin që u miratua pak ditë më parë. Ai shtoi se ky akt nuk i shërben procesit, por e bën problematik atë. Nëse do të kishte një akt disa ditë më parë, jo sot, duhet të ndryshonte udhëzimin përkatës që ka përcaktuar rregullat në manualin që vetë KQZ ka miratuar. Nëse ky projektvendim do të kalojë, nuk do ti shërbejë procesit, më tepër do të jetë problematik ditën e votimit, tha Gjonçaj. Gjatë darkës së djeshme u vërejt se në Bashkinë e Kavajës dhe komunat Kuman në Patos dhe Margegaj në Tropojë komisionerët e opozitës nuk ishin paraqitur në KZAZ për të tërhequr bazën materiale. Në orën 23:00, komisionerët e PS-së në Kavajë shkuan për të tërhequr materialet me të cilat do të hapin sot qendrën e votimit, ndërsa për Kumanin dhe Margegajn KQZ-ja vendosi të hapë qendrat e votimit pas paraqitjes së komisionerëve që janë atje, të cilët do të tërheqin materialet zgjedhore. Në Margegaj kaosi u krijua pasi PS-ja kishte dërguar një listë me komisionerë, të cilët rezultonin shtetas të vdekur. Gjatë pasdites u shfaqën probleme edhe në Kamzë, por brenda një kohe të shkurtër komisonerët e të dyja partive u paraqitën për të marrë materialet zgjedhore, duke bërë të mundur hapjen e qendrave të votimit.
Vendimi i KQZ
Gjatë procesit të votimit, anëtarët e QV-ve në asnjë rast nuk mund të përdorin materiale, si fletë votimi, procesverbale votimi, lista të zgjedhësve, të cilat nuk janë sipas nenit 100 të Kodit Zgjedhor, përveçse kur parashikohet ndryshe me vendim të KQZ-së.
Gjatë procesit të votimit, vëzhguesit e subjekteve zgjedhore të akredituara pranë qendrave të votimit në asnjë rast nuk mund të përdorin/ mbajnë/ shfaqin materiale propagandistike të subjekteve zgjedhore.
Gjatë procesit të votimit, anëtarët e komisionit apo vëzhguesit e pranishëm në QV nuk lejohet të përdorin pajisje si regjistrues audio/video, pajisje që kontrollojnë apo regjistrojnë zgjedhësit që paraqiten për të votuar dhe që për këtë shkak mund të intimidojnë apo pengojnë zgjedhësit në procesin e votimit (aparat fotografik kamera, celular, llamba me rreze ultravioletë).
Në rast se ndonjë nga anëtarët apo sekretari i KQV-së përdor mjete të tjera, të cilat nuk janë të përcaktuara në ligj, kryetari, zv.kryetari apo çdo anëtar tjetër i KQV-së që konstaton këtë fakt, mban një procesverbal dhe njofton menjëherë KZAZ-në përkatëse dhe KQZ-në.
ADI SHKEMBI