Ditari i zgjedhjeve 2011, një libër për kronikën e fushatës
Një libër kundër harresës zgjedhore. Janë 30 ditë fushatë, 30 shkrime, 30 karikatura. Jo vetëm parulla, deklarata shtypi apo akuza e kundërakuza partish, por një radiografi e plotë e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit 2011, parë në këndvështrimin e analistit Henri Çili dhe interpretuar me karikatura të Mjeshtrit të Madh, Bujar Kapexhiu. E kanë titulluar “Ditari i zgjedhjeve 2011″, sepse koha kalon shpejt dhe ne nuk na mbetet kujtesë e dokumentuar lidhur me atë që ndodh në historitë ditore, përfshirë edhe zgjedhjet. Në kaq vite pluralizëm, dëshmitë zgjedhore janë krejt të pakta, edhe pse ngjarjet kanë qenë të shumta. Ndaj, dje, Çili dhe Kapexhiu bënë përpjekjen e parë për të fiksuar kohën, teksa promovuan librin në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. “Për kujtesën tonë ia vlente mbledhja në një libër të vetëm të kronikës së kësaj fushate, përmes fjalës dhe gjuhës së mrekullueshme të karikaturës gjithashtu”, tha Çili, ndërsa shtoi se ky libër mund të shërbejë më pas edhe për studentë e studiues të politikës, apo edhe për publikun e gjerë. Ndërsa Kapexhiu, sigurisht që e mbështeti dhe falënderoi Çilin me të madhe, por batuta e tij në fund ishte edhe më e madhe: “Shyqyr që janë politikanët që t’i karikaturoj e të marr ndonjë lek”…