Aktivistët: 28 të vrarë në qytetin Hama të Sirisë

Aktivistë sirianë thanë se forcat qeveritare kanë vrarë të paktën 28 persona në qytetin Hama, një ditë pasi banorët e kësaj qendre të opozitës mirëpritën disa ushtarë të Kombeve të Bashkuara të dërguar për të vëzhguar zbatimin e armëpushimit të brishtë, midis palëve kundërshtare të konfliktit një-vjeçar të vendit.
Aktivistët thanë se forcat siriane të sigurisë sulmuan qytetin Hama dje në mëngjes, duke hedhur granata në lagjen Arbain, duke shkatërruar shtëpi dhe duke sulmuar me armë automatike. Numri i viktimave të sulmit nuk mund të konfirmohej nga burime të pavarura. Një ekip i vogël vëzhguesish paraprakë të OKB-së kishte vizituar qytetin Hama të dielën, dhe anëtarët e tij u përshëndetën nga protestuesit të cilët hodhën parulla kundër presidentit sirian Bashar al-Asad.
Një zëdhënës i vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara tha se tre anëtarë të tjerë iu bashkuan ekipit dje, duke ngritur numrin e tyre në 11.