"Grupi i Gjilanit", Nuhiu mohon akuzat

Shemsi Nuhiu ka hedhur poshtë akuzat para Departamentit për krime të luftës të Gjykatës së Lartë të Serbisë, se ka marrë pjesë në vrasjen dhe torturimin e civilëve në Gjilan në vitin 1999, si anëtar i të ashtuquajturit “Grupi i Gjilanit” pjesë e UÇK-së.
Në fillim të gjykimit të unifikuar kundër 17 anëtarëve të të ashtuquajturit Grupit të Gjilanit të UÇK-së, 12 nga të cilët janë në arrati, Nuhiu ka mohuar edhe se ka qenë anëtar i UÇK-së, duke argumentuar se për krimin në Gjilan, me të cilin është ngarkuar nga prokuroria serbe, ka mësuar nga gazetat dhe ka pohuar se aktakuza nuk është e saktë.
Ai është arrestuar një vit më parë në Zvicër, në bazë të një fletarresti të Serbisë dhe në fund të muajit mars u ekstradua në Serbi, ndërsa të hënën ishte paraqitja e parë e tij në gjykatë.
Përveç tij në paraburgim gjenden edhe tre të pandehur, njëri mbrohet në liri, ndërsa të tjerët janë duke u gjykuar në mungesë.
Në gjykimin e së hënës, të gjithë të akuzuarit përsëriten se procesi është i motivuar politikisht kundër tyre, duke mohuar përfshirjen në krimet që i faturohen UÇK-së.