Kina forcon lidhjet me Korenë e Veriut

Presidenti i Kinës bëri thirrje për lidhje më të fuqishme me Korenë e Veriut, në një moment tensionesh mes dy Koreve pas dështimit të lëshimit të raketës-satelit nga Peniani.
Hu Jintao e bëri premtimin e tij në një takim me një delegacion të Partisë së Punës të ardhur në Pekin ditën e hënë, të kryesuar nga Kim Yong il.
Gjithashtu, takimi u zhvillua në kohën kur Koreja e Veriut ka kërcënuar për një “aksion të papreçedent” ndaj Seulit.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ngritur dyshimet mbi Kinën, se një raketëhedhës i parë javën e kaluar në Penian ishte me origjinë kineze.
Tensionet në gadishullin korean janë ngritur pas dështimit të lëshimit të raketës-satelit më 13 prill. Peniani deklaroi se do të ngrinte një satelit në orbitë, por kritikët thanë se lëshimi ishte në të vërtetë testim i një rakete me teknologji të ndaluar nga rezolutat e OKB-së.
Koreja e Jugut thotë gjithashtu se ka shenja se Veriu mund të jetë duke planifikuar një test të tretë bërthamor. Ndërsa Kina, që është aleati kryesor i Koresë së Veriut dhe partneri kryesor i tregtisë me të, nuk e dënoi testin në fjalë.
Kina, që shihet si vendi me shkallën më të lartë të influencës mbi Korenë e Veriut, ka bërë thirrje vazhdimisht për qetësi në gadishullin korean, në një moment kur tensionet mes dy Koreve janë rritur.