Aktivistët e MJAFT! në Prishtinë, i bëjnë thirrje kosovarëve të mos votojnë

Prishtinë, 8 Nëntor NOA - Këtë fundjavë, në familjet e disa aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s po qëndrojnë 14 aktivistë të Lëvizjes MJAFT! nga Shqipëria.
Ata morën pjesë në të gjitha aktivitetet që Lëvizja VETËVENDOSJE! i organizoi në kuadër të fushatës për bojkotimin e zgjedhjeve lokale.
Një grup aktivistësh nga Prishtina iu bashkuan Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Pejë ku u prezantua Qurani me kravatë si simbol i asaj që është e përbashkëta e kandidatëve që po garojnë.
Gjersa politikanët na i dramatizojnë dallimet midis tyre, Qurani është e përbashkëta e tyre. Qurani si një trullan që fryhet. tha aktivisti Zgjim Hyseni.
Mijëra fletushka në të cilat tregoheshin arsyet pse nuk duhet votuar iu shpërndanë pejanëve.
Një tjetër grup aktivistësh shkruan MOS VOTO në billboard-at e KQZ-së në Prishtinë, ndërkaq disa të tjerë me sprej e shabllon e shkruan nëpër muret e qytetit dhe të pushtetit parullën:
Unë votoj
Ti voton
Ai/Ajo voton
Ne votojmë
Ju votoni
Ata përfitojnë
Në orën 14:00, në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë, u prezantuan katër posterë të mëdhenj të ngjitur në një prizëm.
Njëri poster shpjegonte se votimi është votim për Quranin, tjetri se votimi është votim për komunat e reja me shumicë serbe, posteri i tretë në mënyrë figurative tregonte se ky votim lokal në Kosovë është çmontim territorial i Kosovës, kurse posteri i katërt, përmbante një vizatim të madh në të cilin fletëvotimi (i qytetarit) shndërrohej në para (për politikanët) porsa të përfundonte brenda kutisë së votimit.
Pasdite, aktivistët e VETËVENDOSJE!-s dhe MJAFT!-it, nëpër semaforë, në dritën e kuqe që sinjalizon ndaljen, vendosën stickers-at me mbishkrimin MOS VOTO.
a.b/e.r/NOA