Aktivisti i opozitës ruse akuzohet për përgatitje të protestave

Komiteti Hetues rus thotë se Leonid Razvozzhayev, ndihmës i një deputeti të parlamentit, është akuzuar zyrtarisht për komplot në protesta masive.
Akuzat e bëra sot kanë lidhje me një protestë të opozitës në Moskë, në muajin maj të këtij viti.
Hetuesit thonë se Razvozzhayev është dorëzuar vetë te autoritetet dhe është rrëfyer se një zyrtar gjeorgjian e ka financuar protestën.
Por avokatja e Razvozzhayev, Violetta Volkova tha sot se klienti i saj është rrëmbyer javën e kaluar në Kiev të Ukrainës.
Sipas saj, ai u soll në Moskë kundër vullnetit të tij dhe dyshon se rrëfimi i tij është rezultat i torturës.
Avokatja tha se asaj i është refuzuar takimi me Razvozzhayevin.
Ndërkohë, anëtarët e opozitës ukrainase po kërkojnë shpjegime nga qeveria lidhur me pretendimet se ai është “rrëmbyer”.