E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aktivizmi për të drejtat e njeriut

Sa për kujtesë, qysh në 10 dhjetor të vitit 1948 Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut shprehet që në hyrje të saj se: Njohja e dinjitetit që u përket të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore si edhe njohja e të drejtave të tyre të barabarta e të patjetërsueshme përbën themelin e lirisë, të drejtësisë dhe të paqes në botë. Padyshim, shumë domethënëse dhe e mirëmenduar për të qënë e vërtetë asokohe…. Por frymëzuese, largpamëse dhe e mirëqëllimshme për të ndërtuar botën e sotme. Qysh atëherë bota mbarë, njerëzit e shquar edhe ‘të pashquar’ të saj janë rrekur dhe përpjekur ta përdorin ‘mbretërinë’ e të drejtave të njeriut si një arenë për të shkëputur argument sa herë që ky duhet ose nevojitet për të mbështetur dhe përligjur kauza qofshin këto publike ose personale, të mëdha ose të vogla, përfshirëse ose përjashtuese.
Kësisoj, edhe Z.Dule as me pak dhe as më shumë zgjodhi vite me parë që të udhëheqë një parti e cila nëpërmjet instrumenteve që prodhon Doktrina e të Drejtave të Njeriut të ‘mbroj’ të drejtat e individëve ose grupimeve të tyre( sa për ilustrim partia e tij quhet ‘partia për mbrojtjen e të drejtave të Njeriut’). Dhe si rrjedhojë e ‘për hatër të kësaj doktrine’ na ka justifikuar shpesh nga ana teorike qëndrimet e tij nëpërmjet “aktivizmit” për të drejtat e njeriut. Deri këtu e mbështes dhe e përshëndes z. Dule i cili zgjedh të jetë një qytetar aktiv në shoqëri.
Por, le të shohim se si qëndron raporti teorik me atë praktik në qëndrimet publike të Z.Dule. Së pari, le të analizojmë grupet e shënjuara nga ai. Ndërsa teorikisht Z.Dule dhe partia e tij pretendon se mbron të drejtat e minoriteteve dhe individëve, praktikisht dhe kryesisht ai shënjon dhe mbron vetëm grupin e minoritetit grek në Shqipëri. Nëse kjo që shkruaj nuk është e vërtetë atëherë më thoni se përse z.Dule as në një rast të vetëm nuk u përfshi në mbrojtje të të drejtave të gjyqtarëve nga Korça ose të çamëve të cilët pa asnjë lloj argumenti ligjor nuk u lejuan dhe nuk lejohen të futen në Greqi. Apo të Drejtat e Njeriut, sipas tij dhe jo sipas parimeve të deklaratës së Drejtave të Njeriut, na qenkërkan në vetvete dhe në natyrën e tyre jo Universale? Po kështu, guximi i tij për tu ‘admiruar’ na la me gojë hapur kur ‘sugjeroi’ publikisht vetëm pak ditë më parë nëpërmjet medias se shkruar dhe në sinkron të plotë me Z.Bollano se minoritaret po u dhunokan për shkak se po u prisheshin ndërtimet pa leje në Himarë, a thua se po prisheshin vetëm ato të minoritarëve dhe jo edhe të qytetarëve të tjerë të Himarës. Nuk e kam dëgjuar këtë ‘aktivist’ të të drejtave të njeriut as edhe njëherë të vetme të “hakërrohet” kur ushtarët grekë me këngë, thirrje dhe video ofenduese kanë poshtëruar shqiptarët sa herë që iu është dukur atyre e arsyeshme. Përse nuk e aktivizoi ky zotëri ‘aktivizmin’ e tij kur romët ngelën të pastrehë dhe u detyruan të kërkojnë ndihme tek Avokati i Popullit?! Përse, ’aktivizmit’ të tij nuk i ka ardhur ndonjëherë në mend të kërkojë hapjen e shkollave shqipe në Greqi për emigrantët shqiptarë ashtu siç ka bërë kur ka qënë fjala për mësimin e greqishtes nga minoritarët në Shqipëri. Padyshim, e drejta për mësimin e gjuhës amtare është një e drejtë themelore e të drejtave të njeriut. A e ka marrë vesh ky zotëri se vetëm pak ditë më parë shteti italian vendosi hapjen e shkollave shqipe për emigrantët shqiptarë në Itali, të cilët janë në numër më të pakët se ata në Greqi?!
Po, nga ku buron ky ‘aktivizem përzgjedhës’ i këtij zotërie? Thua ta ketë kuptuar gabim parimin e universalizmit dhe patjetërsimit të të Drejtave të Njeriut? Dhe të dashur lexues, duke shtruar pyetjet e mësipërme jam duke kaluar në analizën e përmbajtjes se ‘aktivizmit’ te z.Dule. Pas një çudie që na e flaku përpara syve vetëm disa javë të shkuara se emri Çamëri qenka një toponim, ky zotëri donte të nënkuptonte midis fjalëve që është një farë soje i përligjur kthimi i çamëve në kufi, nëse ata e kanë këtë ‘Toponim’ të shkruar si vendlindje në pasaportë. Deri këtu Z.Dule mund të më përgjigjet se po ushtron të drejtën e tij të fjalës së lirë që ia ka garantuar jo vetëm ajo Karta e sipërpërmendur e të Drejtave të njeriut por edhe kushtetuta e këtij vendi ku Z.Dule ka lindur me dashjen ose padashjen e tij. Po kur Z.Dule mundohet ta shesë qëndrimin duke përdorur vetëm retorikë boshe dhe pa ju referuar asnjë argumenti juridik dhe parimor, atëherë puna qëndron ndryshe. Një dreq e di se si mundet që fakti se Çamëria qenka toponim (sipas z.Dule), i heqka të drejtën Çamëve të futen në shtetin grek edhe pse Shqipëria shteti nga i cili ata vijnë është bërë pjesë e marrëveshjes Shengen ku edhe vetë Greqia aderon!!! Çfarë do të ndodhte me Z.Dule nëse një ditë autoritetet greke do t’i thoshin se ne nuk të njohim më si minoritar pasi mbiemri juaj tingëllon kryekëput mysliman?! Nuk e di në çfarë Universiteti e ka mësuar ai të Drejtën Ndërkombëtare së cilës i referohet, sepse mua dhe profesorit tim të nderuar të një Universiteti të huaj prestigjioz, me të cilin u konsultova për të qënë më e saktë profesionalisht dhe me objektive në analizë, nuk na rezulton një lidhje shkak-pasojë e përligjur nga ndonjë akt i së Drejtës Ndërkombëtare që mund të jetë i aplikueshëm në rastin në fjalë. Edhe pse besoj në parimin që dija nuk ka fund asnjëherë, dyshoj në atë se ndonjë koncept i së Drejtave të Njeriut me “natyrë kryesisht dhe vetëm kufizuese dhe diskriminuese për individin/grupin” është zhvilluar ndonjëherë deri tani brenda diskursit të së Drejtës Ndërkombëtare.
Për të vazhduar me analizën e fakteve do të përmend këtu se vetëm katër ditë më parë z.Dule si për të hapur javën me ‘mbarësi’ dhe kinse për tu bërë protagonist përsëri merr përsipër të na “njoftojë” nëpërmjet gazetave dhe ‘nën kostumin’ e gjoja specialistit të së Drejtës Ndërkombëtare se “shfuqizimi i marrëveshjes për kufirin bregdetar me Greqinë ishte një produkt i presionit nacionalist dhe jo i argumentit juridik në injorim të hapur të së Drejtës Ndërkombëtare” duke guxuar kështu të vërë në diskutim profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese të Shtetit ku ai jeton, pa argumentuar aspak dhe në asnjë rast të vetëm se çfarë norme të së Drejtës Ndërkombëtare i referohej konkretisht. Sa për dijeni, jurisprudenca që ka të bëjë me të Drejtën Ndërkombëtare është zhvilluar dhe pasuruar aq shumë në kohët e sotme sa precedentët e krijuar nuk na lënë të gabojmë. Çfarë lidhje ka ky qëndrim kryekëput politik i z.Dule me kauzën e tij të mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut?! Dhe nëse ka lidhje, perse z.Dule nuk na u dashka të mbrojë të drejtën e peshkatarëve shqiptarë të cilët që prej kohës që është shprehur gjykata kushtetuese nuk lejohen të peshkojnë në një pjesë të vijës bregdetare në kufi me Greqinë, por në vend të tyre zgjedh të mbrojë shtetin grek si një ‘nacionalist shembullor’.
Më ndjeni të dashur lexues, edhe pse asnjëherë injorancën juridike të z.Dule se kam marrë seriozisht këtë herë për hir të egos profesionale dhe zhvillimit të një debati etik dhe jo politik por vetëm në nivel jurisprudence dhe parimesh që na ofron prej tash sa viteve e Drejta Ndërkombëtare dhe si pjesë e saj edhe e Drejta Ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, e ftoj të sipërpërmendurin të dalim në një debat publik-mediatik për t’ju sqaruar qytetarëve të këtij vendi se çfarë janë në të vërtetë argumentet juridike që mund të na japë e Drejta Ndërkombëtare në lidhje me rastin e marrëveshjes kufitare me Greqinë.
Nëse vërtetë z.Dule beson në “aktivizmin” e tij dhe dëshiron të ‘mbijetojë’ në politikë si kryetar i një partie për të drejtat e njeriut, nuk ka pse të mos ta pranojë këtë ftesë të sinqertë. Për më tepër që si politikan i këtij vendi prej disa vitesh, tashmë ka ardhur koha edhe për z.Dule që siç do politikan tjetër i çdo vendi të zhvilluar të ushtrojë përgjegjësinë për “dhënien–llogari” përpara votuesve dhe bashkështetasve të tij. Përndryshe “aktivizmi” i tij do të rikonfirmohet edhe më tej si një retorikë e ‘spikatur’ (të paktën sipas praktikës së tij të përsëritur këtë ka treguar deri më tani). 

* Specialiste e së Drejtës Ndërkombëtare & Aktiviste e të Drejtave të Njeriut

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›