E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aktorët në Kosovë: rrogat tona, poshtëruese

Artistët dhe punonjësit e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë themeluar sindikatën e tyre, qëllimi i të cilës do të jetë mbrojtja e të drejtave të tyre dhe lobimi për përmirësimin e kushteve të punës. Kryetar i Sindikatës është zgjedhur Mehmet Breznica, aktor, ndërsa zëvendëskryetare Drita Begolli.


Sindikata ka zgjedhur edhe kryesinë me 9 anëtarë. Në mbledhjen e parë, anëtarët e Sindikatës u kanë bërë thirrje zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës dhe të qeverisë që t`u krijojnë kushte më dinjitoze për punë artistëve dhe punonjësve të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Pagat e tyre, diku te 140 euro, i quajnë poshtëruese.


Me kërkesat e sindikalistëve ka rënë dakord edhe Jeton Neziraj, Drejtor Artistik në TKK, i cili ka shprehur mirëkuptim dhe u ka premtuar përkrahje të fuqishme.
Sindikalistët kanë premtuar se do të jenë aktivë, përfshi edhe ndërmarrjen e veprimeve, të cilat ata i kanë cilësuar si "më radikale", deri në përmirësimin e pozitës së tyre.

Mushkolaj sërish në "Thertore"


Aktori Imer Mushkolaj luan sërish në shfaqjen "Thertorja 5", versioni i ri i së cilës është premierë më 6 nëntor në Beograd.


Është një realizim sipas motiveve të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur amerikan Kurt Vonnegut, i dramatizuar nga Tatjana Ljujicit (Universiteti i Kembrixhit) dhe me regji të Fahrudin Nuno Salihbegovicit (Amsterdam Cyber Theatre).


Dy versione të tjera janë shfaqur në vitin 2007 dhe 2008 në Nova Varosh, Uzhicë dhe Beograd. Në këtë projekt ndërkombëtar, Mushkolaj përfaqëson qendrën "Multimedia" nga Prishtina dhe në të marrin pjesë edhe Janosh Bush, Vahidin Prelic, Andrijana Lubina dhe Jovana Rakic.


"Thertorja 5" është një rrëfim për bombardimin e qytetit të Drezdenit gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit për një natë vdiqën 135 mijë vetë. Tmerrin e Dresdenit e ka përjetuar vetë shkrimtari Vonnegut dhe ai atë përjetim e ka "bartur" në një tregim fantastiko-shkencor, duke ofruar një tregim skizofrenik të aktorit kryesor, për vizitë në një tjetër planet.


Loja e aktorëve në skenë kombinohet me efekte, projeksione dixhitale. I ashtuquajturi "cyber theatre" promovohet në rajon, pikërisht me këtë shfaqje, ndërkohë që është lloj i ri teatri edhe në Evropë.

Diçiturë: Skenë nga versioni i kaluar i shfaqjes, dhënë në Beograd në shtator 2008


Kalendari i Aktiviteteve Kulturore


E premte, 30 tetor, ora 19.00
Tiranë, Skena e Akademisë së Arteve


Shfaqet pjesa "Fëmijët e Murit", shkruar nga regjisori berlinez, Stefan Neugebauer. Interpretojnë në disa gjuhë nxënësit e gjimnazit "Sami Frashëri" dhe studentë të Universitetit të Tiranës.


Si të gjitha ngjarjet kulturore që po zhvillohen në Tiranë në kuadër të "Tetorit Gjerman", "Fëmijët e Murit" tregon për të kaluarën komuniste të Gjermanisë e ndarë më dysh nga Muri i Berlinit. Përveç mbrëmjes së sotme, pjesa vazhdon të shfaqet edhe gjatë fundjavës, më 31 dhe 1 nëntor, në sallën e madhe të Akademisë së Arteve.

E premte, 30 tetor ora 19.00
Tiranë, skena e Teatrit Kombëtar


Shfaqet "Antigona kërkon të atin", e shkruar dhe e vënë në skenë nga regjisori Mihal Luarasi. Interpretojnë aktorët Edi Luarasi, Ahmet Pasha, Ina Gjonçi dhe Gjergji Mena. Për skenografinë e kësaj shfaqjeje ka punuar Klajdi Marku.


E shtunë, 31 tetor, ora 19.00
Tiranë, skena e vogël e Teatrit Kombëtar


Të shtunën dhe të dielën, ora 19.00, në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar shfaqet komedia "Parfumeria" e shkruar nga autori kosovar Haqif Mulliqi. Me këtë vepër, Saimir Sina në rolin e regjisorit, konkurron në Festivalin Teatror të të Rinjve. Interpretojnë Saimir Sina dhe Spiro Duni. Skenografia e Sonilda Bardhoshit.


E diel, 1 nëntor, ora 19.00
Tiranë, skena e Teatrit Kombëtar


Një vit e pak nga premiera rishfaqet "Allegretto Albania", shkruar nga Stefan Çapaliku, me regji të Altin Bashës, të dielën, ora 19.00, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar. Interpretojnë aktorët: Mirush Kabashi, Ahmet Pasha, Vasian Lami, Olta Dako, Gazmend Paja, Xhejni Fama dhe Klea Konomi. Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Iliriana Hoxha.


E shtunë, 31 tetor, ora 18.00
Fier, Galeria e qytetit


Hapet ekspozita e Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë Artistike, "Fokus '09". Marrin pjesë 74 fotografë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Italia, Franca, Turqia, India, Amerika etj. Dy orë pas hapjes së ekspozitës, në një nga lokalet e qytetit, bëhet ceremonia e ndarjes së çmimeve. Edicionin e kaluar, çmimi I iu dha fotografit nga Kosova Besart Gërguri.

E mërkurë, 4 nëntor, ora 19.00
Vlorë, teatri "Petro Marko"


Shfaq komedinë "Letra e humbur". Vepra është shkuar nga komediani rumun Ion Luca Caragiale. Në skenën e teatrit të Vlorës e sjell regjisori Roland Minga. Interpretojnë Jorgaq Tushe, Astrit Mamaj, Desantila Kristo, Lavdimir Abilaliaj, Afrim Agalliu. Skenografia dhe kostumet Agron Jakupi. Formulimi muzikor Artur Dhamo.

E premte, 30 tetor, ora 11.30
Elbasan, në teatrin "Skampa"


Në skenën e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ shfaqet "Banorët e shkallës 5", një komedi e shkruar nga shkrimtari Kin Dushi, me regji të Sonila Ulqinakut. Interpretojnë Valdrin Asani, Ermira Hysaj, Arbër Islami, Xheni Demi, etj. Skenografia Klajd Kapedani. Muzika Bojken Lakod dhe Fabian Asllani


E premte, 30 tetor, ora 18.00
Shkodër, Teatri "Migjeni"


Këngëtarja nga Shkodra, Mukades Çanga, interpreton drejtpërdrejt në teatrin "Migjeni". Në koncert janë të ftuar këngëtarët Irma Libohova, Bujar Qamili, Ersi Baxha dhe Dorina Garuci.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›