Prej dy vjetësh kërcënonte mikun, prangoset
BERAT/ Kastriot Kaçi është vënë në pranga pasi kërcënonte me letra, telefonata e armë familjen e Kastriot Çalës
Burime nga policia bënë të ditur se miqësia e ngushtë kishte qenë pengesa më e madhe për zbulimin e autorit
BERAT - Prej dy vjetësh familja e Kastriot Çalës kërcënohej sistematikisht me letra, armë dhe me anë të telefonit fiks, teksa vetëm të enjten kanë arritur të mësojnë se ankthi i tyre ishte shkaktuar pikërisht nga miku i ngushtë i familjes dhe fqinj i tyre.
Policia e Beratit ka vënë në pranga Kastriot Kuçin, lindur në Pobrat dhe banues në Kutalli, teksa ndaj tij rëndojnë akuzat e "kanosjes me armë", "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve", "shkatërrimit të pronës dhe "keqpërdorim të thirrjeve telefonike".
Tashmë ai ndodhet në pranga në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë së Beratit. Identifikimi dhe më pas ndalimi i 35-vjeçarit u bë pas një pune profesionale dhe tepër intensive nga ana e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Beratit dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat.
Historia
Zanafilla e kësaj ngjarjeje që ka traumatizuar me dhjetëra herë familjen Çala, nis me letrën kërcënuese që mban datën 22.12.2007, e cila i është dërguar familjes së Kastriot Çalës në fshatin Kutalli.
Kërcënimet për jetën kanë vijuar më pas sistematikisht përmes telefonit fiks, teksa disa herë është qëlluar edhe me armë në drejtim të shtëpisë së kësaj familjeje. Rasti i fundit kur u bë kërcënimi i radhës ishte pikërisht data 9 tetor e këtij viti. Në këtë ditë, banesa e familjes Çala u qëllua me armë, teksa dita e nesërme ka vijuar me mbërritjen e një kërcënimi me anë të telefonit fiks.
Policia dhe prokuroria në bashkëpunim kanë arritur të dokumentojnë disa raste, siç është ai i letrës kërcënuese i datës 22.12.2007, goditja me armë në banesën dhe lokalin e familjes Çala më datat 23.04.2008, 25.10.2008, për të vijuar kërcënimin me djegien e derës së banesës 14.06.2009. Sipas policisë, autori sa herë që qëllonte me armë drejt banesës, ditën tjetër kërcënonte me telefon familjen, duke dashur kështu të çorientonte ekspertët e policisë, pasi telefonatat kryheshin nga një rreth tjetër.
Hetimi
Sektori Kundër Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një pune disamujore ka bërë dokumentimin e ngjarjeve rast pas rasti, ndërsa është mundësuar edhe identifikimi dhe arrestimi i autorit. Kështu pohuan për "Shekulli"-n ekspertët e Krimeve të Rënda në Berat.
Sipas tyre, dokumentimi dhe më pas identifikimi ka qenë tepër i vështirë, për faktin se Kastriot Kuçi kishte marrëdhënie të ngushta pune dhe shoqërore me të dëmtuarin. Prej vitesh ata ishin shokë dhe punonin së bashku në një brigadë ndërtimi.
Gjithashtu Çala kishte edhe një lokal në të cilin kishte marrë për të punuar mikun e tij. Po kështu puna është vështirësuar edhe për faktin që Kuçi telefonatat zakonisht i bënte të shtunë ose të diel, kohë kur ai ishte pushim dhe familja Çala ndodhej në shtëpi.
Thuajse të gjitha kërcënimet rezultojnë të jenë bërë nga telefona fiks (kartofon) nga qytetet Fier, Roskovec, Kuçovë, Urë - Vajgurore dhe Berat.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, nëpërmjet këtyre telefonatave, të cilat bëheshin një ditë pas çdo kanosjeje me armë, kryefamiljarit Kastriot Çala i kërkohej ndërprerja e punës dhe mbyllja e biznesit.
Edhe pse kjo kërkesë të bën të mendosh për ndonjë kërcënues me pagesë për shkak të konkurrencës, policia tregohet e rezervuar duke ia lënë përgjigjen hetimeve të mëtejshme.
Tashmë është provuar se autori i këtyre kërcënimeve është Kastriot Kuçi, i cili ka konsumuar veprat penale të "kanosjes me armë", "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve", "shkatërrimit të pronës dhe "keqpërdorim të thirrjeve telefonike", dhe do të përgjigjet sipas ligjit para drejtësië.
Policia sqaron se gjatë veprimeve hetimore të kryera një ditë më parë në banesën e Kuçit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike e dyshuar, dorëshkrime me kërcënime, si dhe një telefon celular.