E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paga e deputetit, Braçe e Dalipi letër Topallit

Ata paralajmërojnë se do të hedhin Topallin në gjyq, si abuzuese me detyrën dhe shkelëse e tre ligjeve që lidhen me statusin e deputetit


TIRANË - Deputetët socialistë Erion Braçe dhe Alfred Dalipi kërkojnë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që të përcaktojnë statusin e tyre juridik dhe në varësi të tij edhe atë financiar.


Të gjendur jashtë Kuvendit për shkak të vendimit për të bojkotuar jetën parlamentare, si pasojë e pretendimeve për manipulime të zgjedhjeve të shkuara, dy deputetët socialistë i kanë dërguar ditët e fundit një letër kryeparlamentares Topalli, nëpërmjet të cilës kërkojnë prej saj sqarime nëse njihen si deputetë apo si ish - deputetë për të përcaktuar më pas edhe llojin e trajtimit ligjor dhe financiar të tyre që u lind si e drejtë nga dispozitat e Kushtetutës, ligjit "Për statusin e deputetit" dhe ai për "Për Pensionet suplementare".


Në të kundërt, ata kërcënojnë se do t'i drejtohen organeve të drejtësisë për të paditur kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, si abuzuese me detyrën dhe shkelëse e tre ligjeve të mësipërme.


Letra


Vendimi për të bojkotuar punimet e Kuvendit, është kthyer në një sakrificë të vërtetë për xhepat e të zgjedhurve socialistë, kjo për shkak se prej dy muajsh ky institucion ka ndërprerë plotësisht marrëdhëniet financiare me ata që janë rizgjedhur si deputetë. Ndërkohë që s'ka pranuar të lidhë një marrëdhënie të tillë me të gjithë atë kontigjent që ka fituar mandatin e deputetit për herë të parë.


Por ndërsa për rastin e dytë, vendimi i Kuvendit është i justifikuar, për shkak të mosbetimit të tyre si deputetë në Kuvendin e Shqipërisë dhe mospjesëmarrjes në jetën kuvendore, e njëjta gjë s'mund të thuhet për të gjithë atë pjesë tjetër të zgjedhurish të PS-së që më 28 qershor rikonfirmuan mandatin e tyre dhe që në bazë të ligjit "Për statusin e deputetit" duhet të përfitonin privilegjet ose si deputetë ose si ish-deputetë.


Kështu, ndërsa të gjithë deputetët e Legjislaturës së shkuar dhe që nuk mundën të rizgjidheshin në zgjedhjet e shkuara parlamentare kanë marrë ditët e fundit rrogën si ish-deputetë, 24 përfaqësues të tjerë të PS-së që u rizgjodhën deputetë në zgjedhjet e shkuara kanë mbetur sërish duarbosh.


Të gjendur në këto kushte, dy përfaqësues të këtij grupi deputetësh, Erion Braçe dhe Alfred Dalipi kanë vendosur t'i drejtohen me një letër kryeparlamentares Topalli, ku pasi e vënë në dijeni për rastin në fjalë i kërkojnë asaj që të saktësojë statusin e tyre juridik, detyrimet, të drejtat dhe përfitimet që lindin prej tij. Ata shpjegojnë në letrën e tyre se prej dy muajsh nuk marrin rrogë dhe kjo për shkak se punonjësit e trajtimit financiar të Kuvendit argumentojnë se ata nuk janë deputetë.


Në këto kushte, ata shprehen në letrën e tyre se nëse nuk janë deputetë për shkak të mosrealizimit të procedurës së betimit, ç'ka do t'i jepte vlerë juridike mandatit të tyre, atëherë ata duhet të trajtohen si ish-deputetë dhe të përfitojnë ato të mira që u siguron ky status, ndërmjet të cilave dy rroga deputeti shpërblim dhe lidhjen e një rroge për tre vitet e ardhshme në masën 50 për qind të rrogës që merrnin më parë si deputetë.


Në letrën në fjalë ata theksojnë se Kuvendi duhet të përcaktojë njërin prej këtyre dy statuseve ligjorë, pasi një status të mesëm nuk mund të ketë. Në pritje të një përgjigjeje rreth kësaj letre, dy deputetët nënshkrues kanë paralajmëruar se në rast të një përgjigjeje negative nga ana e këtij institucioni ata do t'i drejtohen organeve gjyqësore për ta denoncuar kryeparlamentaren si shkelëse të tre ligjeve që përcaktojnë statusin dhe privilegjet e tyre.


Sipas tyre, problemi nuk lidhet vetëm me trajtimin financiar, por mospërcaktimi i statusit të tyre juridik ka sjellë për ta dhe një sërë vështirësish të tjera, sidomos në raport me marrëdhëniet me institucione të tjera, siç mund të jenë bankat, ambasadat etj.


Statusi


Me ligjin "Për statusin e Deputetit" dhe ndryshimet e herë pas hershme që i janë bërë atij, të zgjedhurit e popullit i kanë siguruar vetes së tyre një sërë favoresh dhe privilegjesh të pafundme, jo vetëm për gjatë kohës së kryerjes së funksioneve si deputetë, por edhe si ish-deputetë.


Në referencë të këtij ligji, Kuvendi ka bërë disa rregullime edhe në ligjin tjetër "Për pensionet suplementare" dhe të dyja së bashku arrijnë të plotësojnë të gjithë gamën e nevojave dhe privilegjeve, që gëzon kjo kategori nëpunësish të lartë politikë.


Ligji "Për pensionet suplementare" duke i konsideruar deputetët si funksionarë të lartë politikë, i kategorizon ata në individë që pas kryerjes së detyrës përfitojnë një trajtim financiar të posaçëm.


Kështu, në nenin 7 të ligjit në fjalë përcaktohet se deputetëve, "pas largimit nga funksioni, u jepet një shpërblim në masën e dy pagave mujore të muajit të fundit në atë funksion dhe mbas këtij shpërblimi marrin 50 për qind të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion".


Duke iu referuar pikërisht këtij neni, 24 deputetët socialistë që janë rizgjedhur sërish, por që për shkak të një vendimi politik nuk kanë bërë betimin, në rast se do të konsideroheshin si ish-deputetë do të duhej të kishin marrë tashmë 2 rroga nga 135 mijë lekë shpërblim dhe dy rroga të tjera me nga 750 si 50 për qind e rrogës së tyre të mëparshme.


Ndërsa neni 16 i ligjit "Për statusin e deputetit" i garanton deputetit dhe bashkëshortes (bashkëshortit) të tij/saj të drejtën e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij.


Ligji "Për Pensionet suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese"

Neni 1, pika 8


Në termin "Grupi i parë" do të përfshihen:
b) Deputetët e Kuvendit Popullor, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ...


Neni 7

Personave të grupit të parë sipas shkronjës "a" të pikës 8 të nenit 1, pas largimit nga funksioni, u jepet shpërblim në masën e tre pagave mujore të muajit të fundit në atë funksion dhe mbas këtij shpërblimi marrin 50 për qind të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion.


Personave të grupit të parë sipas shkronjës "b" të pikës 8 të nenit 1, pas largimit nga funksioni, u jepet një shpërblim në masën e dy pagave mujore të muajit të fundit në atë funksion dhe mbas këtij shpërblimi marrin 50 për qind të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion.


Ligji "Për statusin e deputetit"

Neni 16
1. Deputetit dhe bashkëshortes (bashkëshortit) të tij/saj u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›